Lajme

Berisha tregon se pse ASK kërkon të shtyhet regjistrimi i popullsisë

By GAZETA SCANNER 1

October 21, 2023

Zëvendëskryeshefi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Ilir Berisha, thotë se edhe pas muajit shtatorit nuk kanë pasur mundësi që të nënshkruajnë një marrëveshje për regjistrimin e popullsisë.

Berisha ka përmendur disa sfida që kanë penguar që procesi të nisë me datën e paraparë.

“Ishte paraparë që të niste më 1 shtator të këtij viti, datë që u caktua nga Qeveria e Kosovës me 30 shtator të vitit 2022. Duke pasur parasysh që ishte një periudhë shumë e shkurtë ne provuam ashtu siç kishim në vitin 2019…, mirëpo pas disa muajve rresht nuk arritem që të nënshkruhet një marrëveshje dhe duke parë që koha ishte mjaftë e shkurtë atëherë të gjitha institucionet u vendos që të përkrahin Agjencisë e Statistikave të Kosovës që t’i zhvillojnë aktivitetet e prokurorimit dhe aktivitetet tjera që të jetë një regjistrim i suksesshëm pas datës së paraparë”, tha Berisha në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.

Sipas tij, sfidë është paraqitur edhe sigurimi i 3,500 regjistruesve dhe 900 mbikëqyrësve.

“Një sfidë tjetër që u paraqit d.m.th që janë pengesë dhe rrezikojnë regjistrimin e popullsisë janë edhe sigurimi apo kontraktimi i 3 mijë e 500 regjistrueseve dhe afërsisht 900 mbikëqyrësve” , shtoi ai.

Berisha ka thënë se sfidat e këtij procesi janë mungesa e tabletave, trajnimi i stafit si dhe procesi i regjistrimit në komunat veriore.

Qeveria me vendimin e fundit pati vendosur që procesi i regjistrimit të popullsisë të nisë më 1 nëntor dhe të zgjasë deri më 15 dhjetor.