Lajme

Berisha: Nuk ka sanksion që na ndal, do ta fitojmë betejën

By GAZETA SCANNER 1

November 12, 2023

Ish-kryeministri i Shqipërisë, njëherësh kryetari i PD-së Sali Berisha ka zhvilluar një bashkëbisedim në Durrës me anëtarë dhe simpatizantë të kësaj force politike, ku foli për betejën e opozitës në Parlament gjatë javëve të fundit.

Berisha tha se opozita është e vendosur t’i qëndrojë deri në fund kërkesave të saj, edhe pse siç u shpreh, janë koshientë që Kryeministri nuk ja u plotëson.

“Parlamenti do u rikthehet qytetarëve vetëm kur Kushtetuta të zbatohet aty. Deputetët e parlamentit janë të vendosur për sakrificë sublime njëlloj si në vitin 1991, qytetarët e Durrësit bënë copa këtu përmendoren e Enver Hoxhës, në Shkodër të Stalinit, njësoj si Kavaja që përmbysi diktaturën. Sot të gjithë jemi të thirrur në fushë për aktet e guximit. Në parlament çfarë po bëjmë? Ne e dimë që ai nuk i plotëson kërkesat, por ne do qëndrojmë deri në pikën e fundit. Sepse ne duhet të vrasim frikën te të tjerët. Këto janë akte, simbole të guximit, por duhen për të vrarë frikën. Se ka ngjallur frikë ky biri i xhelatëve. Ka ngjallur frikë te qytetarët. Pra, ka një kohë sot, ka një kohë për çdo demokrat. Unë do ua them këtu, shumë nga ju mund të keni menduar se ne duhet të zgjedhim emër tjetër. Jo, ne nuk do zgjedhim emër tjetër. Ai emër dhe demokracia e Shqipërisë, ai emër dhe pluralizmi, ai emër dhe shpresa e Shqipërisë, duhet të jetojnë dhe do jetojnë gjithmonë”, tha ai.

Pavarësisht masave përjashtuese nga Parlamenti të disa deputetëve demokratë, kryetari i PD theksoi se opozita nuk do të tërhiqet dhe do ta vijojë betejën e saj.

“Ne jemi para qenies së mosqenies. Nëse ne nuk qëndrojmë për ju në të drejtën që na njeh Kushtetuta, ne nuk ekzistojmë. Po cila është alternativa? Të largohemi nga parlamenti? Në asnjë mënyrë, aty do rrimë në çdo akt tonin do shihni kryengritjen tuaj, përpjekjen tonë për përmbysjen e regjimit. Kjo është një betejë dhe ne do e fitojmë ne. Edi Rama e ka kuptuar që ne do e fitojmë këtë betejë dhe sapo u ngritëm në këmbë si një opozitë e vërtetë, e pamposhtur, si një opozitë që nuk mund ta shiste dhe blinte, vendosi sanksione duke besuar se do na tërheqë. Nuk ka sanksion, nuk ka burg, nuk ka gjë në botë që mund të na ndalë ne, ne jemi shpresa e vetme e shqiptarëve. Ne do shpëtojmë Shqipërinë, do shpëtojmë shqiptarët. Përpiqet të bëjë çdo lloj pazari, vetëm e vetëm të sigurojë karrigen e tij”, është shprehur Berisha.