Ekonomi

Boeing rikuperohet, por akoma shumë larg Airbus-it

Porosia e 30 aeroplanëve të modelit problematik 737 Max, të kompanisë amerikane Boeing, siç duket shënon fillimin e rikuperimit të kësaj kompanie pas një rënie drastike të shitjeve.

Sidoqoftë, ndalimi i fluturimit të modelit më të njohur të prodhuar ndonjëherë nga Boeing si dhe anulimi i porosive të disa klientëve, apo ndryshimi i porosisë për disa modele tjera, ka treguar se kompania ka humbur 84 porosi këtë vit.

Në nëntor, Boeing regjistroi një rritje neto të porosive për 11 aeroplanë komercialë, shumë prapa konkurrentit Airbus, i cili regjistroi porosi të 219 aeroplanëve komercialë.

Deri më tani, Airbus ka regjistruar porosi për 940 aeroplanë dhe është në rrugë të mbarë për të fituar me lehtësi garën vjetore mes dy gjigantëve. Kjo do të shënonte humbjen e gjashtë me radhë në shtatë vitet e fundit ndaj Airbus.

Vlera e ultë e shitjeve është indikator i vendimit të Administratës Federale të Aviacionit dhe rregullatorëve të tjerë që ndaluan fluturimin e 737 Max në muajin mars, pas rrëzimit të dy aeroplanëve të këtij modeli. Që nga ajo kohë, Boeing ka ndërtuar më shumë se 300 aeroplanë 737 Max, por nuk është lejuar të dorëzojë asnjë derisa rregullatorët t’i aprovojnë ndryshimet në softuerin e kontrollit të fluturimit.

Boeing ka synuar ricertifikimin e 737 Max në dhjetor dhe mundësinë e rikthimit në shërbim deri në fund të janarit. Pavarësisht nga kjo pikëpamje optimiste, ekspertë në industrinë e aeroplanëve komercialë dyshojnë se aeroplani do të zhbllokohet deri në fund të janarit, ndërsa fluturimet komerciale nuk pritet të realizohen deri në mars. Southwest Airlines, American Airlines dhe United Airlines nuk planifikojnë të rifillojnë fluturimet komerciale me 737 Max deri në fillim të marsit.

Përndryshe, në mars të vitit 2019, autoritetet e aviacionit në të gjithë botën ndaluan fluturimin e 737 MAX pasi dy aeroplanë të rinj u rrëzuan brenda pesë muajve, duke vrarë gjithsej 346 persona. Pas aksidentit të pare të Lion Air më 29 tetor 2018, pilotët kritikuan ashpër Boeing për mos informimin e tyre për një karakteristikë të kontrollit të fluturimit të zbatuar rishtazi nga Boeing, i cili në mënyrë të përsëritur e detyronte aeroplanin të fluturonte me hundë poshtë, një manovër e rrezikshme për aeroplanë komercialë në fluturime normale. Pilotët po ashtu kritikuan edhe aviokompanitë për faktin se shpenzojnë shumë pak para në trajnimin e pilotëve pas futjes në përdorim të modeleve të rinj të aeroplanëve.