Lajme

Behluli: Protesta në Bujanoc po organizohet kundër diskriminimit të shqiptarëve nga qeveria

By GAZETA SCANNER 1

August 10, 2024

Gazetarja nga Lugina e Preshevës, Ardita Behluli ka thënë se Serbia po shton presionin ndaj shqiptarëve atje, e sidomos pas protestës së paralajmëruar nga ana e qytetarëve shqiptarë, pas arrestimit të njërit prej tyre.

Behluli shprehet se kjo protestë po organizohet kundër diskriminimit sistematik që po e bënë qeveria serbe ndaj shqiptarëve të Luginës.

“Pas paralajmërimit të organizimit të protestës, që do të mbahet ditën e hënë nga ora 11:00 në qendër të Bujanocit, ka pasur reagime nga më të ndryshmet, duke nisur nga pjesa mediale, nga ana e opinionit publik serbë, pse duhet apo jo të organizohet kjo protestë”.

“Protesta po organizohet kundër diskriminimit sistematik që po u bëhet shqiptarëve në Luginë të Preshevës nga qeverisa e mëhershme dhe e tanishme”, u shpreh gazetarja në Edicionin Special të Klan Kosova.

“Sot pasdite është arrestuar një qytetar shqiptar i komunës së Bujanocit, pas komentit që kishte shkruar në një portal lokal i njohur si portali “bujanova”, për vepër penale si “nxitje të urrejtjes””.

Behluli tregon edhe brengën më të madhe të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Ajo që është brengosëse për shqiptarët e Luginës, është që dënohemi për komentet që nxisin urrejtje nacionale, por reagimi i qeverisë, i institucioneve përkatëse duhet të jetë i njëjtë sikur për popullin serbë. Sepse ne çdo ditë hasim, lexojmë dhe shohim e dëgjojmë komente nga më të ndryshmet me të cilët ofendojnë rëndë shqiptarët, abuzojnë me shqiptarët”, deklaroi gazetarja.