Rozë

Behgjet Pacolli flet për shkakun e ndarjes nga Ana Oxa: “Ishte dashuria ime më e madhe”

By GAZETA SCANNER 1

November 30, 2024

Biznesmeni i njohur shqiptar Behgjet Pacolli ishte i ftuar në emisionin më të ri të Arbana Osmanit, ku ka folur gjatë për jetën e tij. Pacolli ka cekur sukseset në karrierë, por edhe njërëzit që kanë pasur më shumë ndikim në jetën e tij.

Gjatë intervistës sipërmarrësi nuk ka lënë pa përmendur edhe historitë e tij të dashurisë, mes të cilave atë më Ana Oxan, duke e konsideruar këngëtaren italo-shqiptare si dashurinë më të fortë të jetës së tij.

“Baba për herë të parë jam bërë në moshën 24-vjeçare. Kam dy vajza që kanë lindur nga lidhje jashtëmartesore. Arbëresha që jeton në Austri, është vajza e madhe. Ka qenë në një kohë tranzitive, pas mbarimit të studimeve dhe kohës kur shkova në shërbimin ushtarak. Vajza tjetër ka lindur kur kam qenë 30 vjeç. Vajzat janë me dy gra të ndryshme, e para aksidentale, e rastit, e dyta e planifikuar, por e dështuar lidhja. Vajzat sot janë bankiere, kanë studiuar. Jam shumë i lumtur për to…”, është shprehur Pacolli.

Ndërkohë sa i përket lidhjes me Oxa-n, ai është shprehur se: “Është pak emocionale të flasësh për këtë, se çdokush normal e kishte tejkaluar atë krizë. Që kur jam njohur me Anën kam pasur gjithë kohën dhe kam mbetur edhe sot me konsideratë për personalitetin e saj; i fortë, po e prerë, kryeneçe, por jashtëzakonisht humane, e sjellshme”, tregon Pacolli.

“Deri në Amerikën e Jugut kemi shkuar për të gjetur zgjidhje për fëmijë. Ka qenë një presion i madh edhe nga motrat, edhe nga gratë tona. Ju e dini si janë gratë tona: “Po ça gruaje je ti që nuk bën një fëmijë?” Nëse dikush është i verbër dhe ti i thua “je i verbër”, e ke groposur, është fatale. Kjo qasje ka qenë. Njerëzit e mi, presioni i madh për fëmijë. Kjo nuk dua të paragjykoj, por kjo ishte ndoshta arsyeja e parë që çoi në një frustrim…” vijoi ai.

“Po, ishte dashuria më e madhe. Dhe më e këndshme…” – duke theksuar se 4 vitet bashkëjetesë dhe 3 martesë kanë qenë mjaft dinamike, përmbushëse për të, të lodhshme, por edhe shumë të bukura…