Botë

BeH furnizohet me katër helikopterë

Bosnja dhe Hercegovina ka nënshkruar kontratë për blerjen e katër helikopterëve ushtarakë UH-1H-II në vlerë mbi 38.5 milionë dollarë, nga të cilat, shteti ka participuar me 4.36 milionë dollarë ndërsa shuma e mbetur u sigurua nga Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes fondeve nga programet e ndihmës vendeve miqësore, Foreign Military Sales (FMS) dhe Foreign Military Funds (FMF).

UH-1H-II është version i modernizuar, i përmirësuar dhe më i lirë për mirëmbajtje, i helikopterit për qëllime të përgjithshme, UH-1H Iroquois, pjesë e inventarit të Forcave Ajrore dhe Brigadës së Mbrojtjes Ajrore të Forcave të armatosura të BeH. Me këtë blerje, kjo Brigadë do të jetë në gjendje të vazhdojë dhe të kryejë më mirë misionin e transportit ajror, evakuimit mjekësor, zjarrfikjes, kërkimi/shpëtimit, si dhe detyra të tjera.

Ceremonia e nënshkrimit u mbajt në Shtëpinë e FA në Sarajevë në prani të zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe FA, Ambasadës së SHBA në BeH dhe shtabit të NATO-s në Sarajevë. Aty u  theksua se ky projekt është një shembull i vlefshëm i bashkëpunimit konkret ndërmjet Bosnjës dhe ShBA-ve.

“Blerja e këtyre helikopterëve paraqet projektin më të madh të investimeve që nga themelimi i Forcave të Armatosura të BeH-së, si në aspektin e sasisë së fondeve, ashtu edhe të ndikimit që do të ketë ai në aftësitë operacionale dhe aftësitë e FA”, deklaroi ministrja e Mbrojtjes,” Marina Pendesh.

Në anën tjetër, ambasadori i ShBA-vë në Sarajevë, Eric Nelson deklaroi me këtë rast që kjo iniciativë është një projekt i përbashkët i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bosnje dhe Hercegovinës.

“Forcat e Armatosura të Bosnjë dhe Hercegovinës janë një histori suksesi, të vlefshme për të investuar. Ato janë një shembull i asaj që popujt e Bosnjës dhe Hercegovinës mund të arrijnë kur shikojnë drejt të ardhmes. Ato janë shembull që çdo cent i investuar në FA shpaguhet disafish dhe kthehet, për të ardhmen e popullit të Bosnjës dhe Hercegovinës”, deklaroi Nelson.

Blerja e helikopterëve të rinj është kontraktuar me mbështetjen e madhe të qeverisë amerikane mbi parimin e qasjes në pakon gjithëpërfshirëse (Qasja në pakon gjithëpërfshirëse), e cila për shumën e kontraktuar në fjalë nënkupton bartjen e plotë të aftësive dhe siguron dorëzimin e katër helikopterëve Bell Huey II; riaftësimin e pilotëve dhe teknikëve në qendrat e trajnimit të Bell Helicopter Textron Inc, duke ofruar pjesë rezervë dhe pajisje për dy vjetët e ardhshme dhe 300 orë fluturimi në vit; dorëzimi i mjeteve të mirëmbajtjes së helikopterit dhe pajisjeve të provës për nivelin e mirëmbajtjes I dhe II, dorëzimin e pajisjeve tokësore për furnizimin e helikopterëve dhe dorëzimi i dokumentacionit teknik për mirëmbajtjen aeronautike të nivelit I dhe II.