Para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka kërkuar njohjen universale të pavarësisë së Kosovës nga të gjithe kombet e botës që s’e kanë bërë akoma.
Begaj tha se Kosova, si shtet, “ka dëshmuar që dhimbja nuk duhet të prodhojë armiqësi dhe se ajo mund të përkthehet në mirëkuptim dhe mbështetje”.
Ndërkaq, si një shtet që tashmë e 15 vite, Begaj tha se “Kosova ende pret njohjen e pavarësisë së saj nga shumë vende”.
“Shpresoj që këta vende do ta njohin kontributin e Kosovës dhe t’ia japin Kosovës njohjes që meriton. Njiheni Kosovën e pavarur”, tha ai.
Presidenti shqiptar gjithashtu theksoi para Asamblesë së Përgjithshme se Shqipëria “mbetet tejet e shqetësuar” me pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginë të Preshevës, teksa kërkoi që të drejtat e shqiptarëve të jenë si ato të serbëve në Kosovës, “që reflektojnë normat evropiane”.
“Të drejtat e serbëve në Kosovë reflektojnë normat evropiane, e njëjta duhet të jetë edhe për shqiptarët në Luginë të Preshevës. Fatkeqësisht ne ende mbesim të shqetësuar rreth pasivizimit e adresave të shqiptarëve dhe mungesën e investimeve substanciale dhe incentivat ekonomike në atë rajon”, ka thënë Begaj.
“Si pjesë e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria vazhdon të jep kontribut të palëkundur për paqen dhe stabilitetin. Shqiptarët kanë rol kyç në Evropën Juglindore; ngase ne përbëjmë shumicën e popullatës në dy republika të pavarura: Shqipëria dhe Kosova; kemi pakicë konstituitive në Maqedoni të Veriut, Mal të Zi, dhe një pakicë të rëndësishme në jug të Serbisë”, tha ai.