Lajme

“Begaj e Osmani mund t’i lehtësojnë protokollet, qëndrimi i dy kryeministrave përcakton marrëdhënien mes vendeve”

By GAZETA SCANNER 1

September 04, 2023

Opinionisti nga Shqipëria, Ben Andoni e ka cilësuar vizitën e sotme të presidentes, Vjosa Osmani në Shqipëri si futje në një rrjedhë më normale mes të dy vendeve.

Por që sipas Andonit, është qëndrimi i dy kryeministrave atij të Kosovës, Albin Kurti dhe atij të Shqipërisë, Edi Rama që do të përcaktojë marrëdhënien e të dyja vendeve.

“Marrëdhënia ndërmjet  Shqipërisë dhe Kosovës të paktën në ditën e sotme me vizitën e zonjës Osmani është dukur se është futur pak në një rrjedhë më normale, por besoj që do të duhen edhe shumë kohë që kjo marrëdhënie të bëhet. Për arsyen e vetme që për shkak të atributeve që ka presidentja e Kosovës dhe  presidenti i Shqipërisë, ato mund të respektojnë dhe mund të lehtësojnë protokole ndërmjet dy vendeve tona. Është qëndrimi i zotit Kurti dhe Rama ato që përcaktojnë dhe marrëdhëniet e dy vendeve tona”, tha opinionisti  nga Shqipëria në emisionin “Ditari” në Tëvë1.

Andoni theksoi se vizita e sotme e Osmanit në Shqipëri është një zbutje, por që sipas tij, duhet shumë kohë që marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve të shkojnë në një vijë të normales.

“Osmani tregoi një lloj qëndrimi të Kosovës, por në njëfarë mënyre do i duhet një marrëdhënie më normale me Shqipërinë, qëndrimi i zonjës Osmani ishte një qëndrim brenda protokollit. Mendoj që është një zbutje, por që do të duhet shumë kohë që marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve të shkojnë në një vijë të normales”, shtoi ai.

Ndryshe, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur sot në një ceremoni zyrtare nga homologu i saj nga Shqipëria, Bajram Begaj.

Kurse pas këtij takimi, Osmani u prit edhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me të cilin ajo tha se biseduan  rreth aspiratës së përbashkët evropiane të Kosovës dhe Shqipërisë.

Osmani do të qëndrojë në Shqipëri edhe nesër, teksa parashihet të ketë edhe takime të tjera të nivelit të lartë.