Sport

Befasia e parë e Evropianit: Sllovakia e mposht Belgjikën

By GAZETA SCANNER 1

June 17, 2024

Kombëtarja e Sllovakisë ka bërë befasinë, duke e mposhtur Belgjikën.

Në ndeshjen e parë për fazën e grupeve, sllovakët triumfuan me rezultat 0:1, pavarësisht që e tërë ndeshja u dominua nga belgët.

Belgjika e nisi më mirë duke pasur dy raste përmes Romelu Lukakut, që dy herë dështoi nga afërsia.

Kur askush s’e priste, në skenë doli Ivan Schranz që shënoi pas një topi të kthyer nga pritja e portierit (7’).

Pas kësaj, Belgjika veçse i shtoi sulmet duke tentuar vazhdimisht dhe pasur një mundësi të mirë përmes Leandro Trossard, por goditja e yllit të Arsenalit përfundoi mbi portë.

Romelu Lukaku në fakt shënoi nga afërsia në pjesën e dytë, mirëpo VAR-i e vlerësoi se ishte në pozitë jashtë loje andaj u anulua.

E njëjta gjë ndodhi sërish në fundin e ndeshjes, ku shënoi Lukaku por rezultoi se një lojtar e kishte prekur topin me dorë në ndërtimin e aksionit andaj goli sërish iu anulua.

Kështu, Sllovakia arkëton tre pikë në grupin E aq sa ka Rumania, ndërsa Belgjika e Ukraina tani janë në pozitat tre dhe katër pa pikë.