Opinione

Bedri Nika: Vuçiç duhet të paditet për krime lufte dhe të paraqitet para organeve të drejtësisë ndërkombëtare

By GAZETA SCANNER 1

February 09, 2024

Shkruan: Bedri Nika

Në përballjen e sotme në Këshillin e Sigurimit, Albin Kurti dështoj të shfrytëzoj rastin për të konfrontuar drejtpërdrejtë Aleksander Vucic për përfshirjen e tij të pamohueshme në krimet e kryera në Ballkan. Në vend të një konfrontimi të guximshëm, sy me sy, z. Kurti humbi përfundimisht shansin për të denoncuar publikisht, para gjithë botës, se z. Vucic, personalisht është figura kryesore në kryerjen e veprimeve kriminale e gjenocidale gjatë luftës në Kosovë.

Në takimin e sotëm të Këshillit të Sigurimit, Aleksandër Vuçiç paraqiti një perspektivë duke përshkruar qëllimet për paqe, megjithatë, bota duhet ta dij të vërtetën mbi rolin e tij historik. Si përfaqësues i krahut të djathtë të regjimit të Millosheviçit, Vuçiç ka qenë përgjegjës personalisht për drejtimin e operacioneve ushtarake dhe për hartimin e strategjive për shfarosjen e shqiptarëve nga faqja e dheut në territorin e Kosovës.

Roli i Aleksandër Vuçiçit në krijimin dhe zbatimin e politikave represive dhe brutalitetit ndaj popullsisë kosovare e vë atë në qendër të përgjegjësisë për kryesimin e kaosit dhe vrasjeve masive ne Evropën Juglindore. Duke qenë një figurë kryesore në qeverisjen e kohës dhe si pjesë e strukturave drejtuese të regjimit të Millosheviçit, Vuçiç ka pasur një rol të drejtpërdrejtë në vendimmarrjen e politikave që çuan në dhunën sistematike dhe shfarosjen e popullsisë kosovare. Në këtë proces, ai si pjesë përbërës e politikes se Milloshevicit, la një trashëgimi prej më shumë se 200,000 të vdekurve në Bosnje dhe 2 milionë njerëzve (gjysma e popullsisë) të pastrehë. Ai spastroi etnikisht më shumë se 800,000 shqiptarë nga shtëpitë e tyre në Kosovë.

Sot, Aleksandër Vucic dhe Serbia duke përfshire edhe aleatin e tyre kryesore Vladimir Putin, mishërojnë anën e errët të përpjekjeve evropiane për të njollosur shpresat e krijuara nga revolucionet e Evropës Lindore dhe Ballkanike. Me pak fjalë, ai dhe Serbia janë kërcënimi kryesor i Evropës, figura më e rrezikshme në Evropën e pasluftës së Ftohtë.

Është imperativ që Aleksandër Vuçiç të paditet për krime lufte dhe të paraqitet para organeve të drejtësisë ndërkombëtare dhe të nënshtrohet një hetimi të plotë ndërkombëtarë. Në përballje me drejtësinë, Vuçiç jo vetëm që do të ndihmojë në procesin e ripajtimit të shoqërive të prekura, por gjithashtu do të vendosë një precedent thelbësor për ndërtimin e një të ardhmeje më të qëndrueshme dhe paqësor për të gjithë rajonin.