Kulturë

Bebe Rexha solli frymë kombëtare në “Sunny Hill 2024”, inkuadroi tupana në performancën e saj

By GAZETA SCANNER 1

July 26, 2024

Mbrëmjen e djeshme, skena e festivalit “Sunny Hill 2024” në Prishtinë u ndez nga një paraqitje spektakolare e artistes me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha.

Kjo ishte hera e parë që këngëtarja performoi në Kosovë, duke ofruar një performancë të zjarrtë për bashkëkombësit e saj.

34-vjeçarja kishte inkuadruar disa elemente kombëtare në një prej performancave të saj, duke i bërë fansat të ndihen më afër kulturës së tyre.

Në një moment të veçantë të natës, ajo futi tupana nën ritmet e këngës së saj të njohur “Say My Name”. Performanca kulmoi me Bebe Rexhën që filloi të kërcente nën ritmin popullor, duke krijuar një atmosferë të jashtëzakonshme dhe të papërsëritshme për të gjithë të pranishmit.

Publiku reagoi me entuziazëm të madh ndaj këtij gjesti, duke duartrokitur dhe kërcyer me ritmet e muzikës që kishte ngjallur emocionet dhe krenarinë kombëtare.

Kjo paraqitje unike dhe e menduar mirë, jo vetëm që tregoi talentin e saj të jashtëzakonshëm, por gjithashtu përforcoi lidhjen e saj me vendin dhe njerëzit e Kosovës.

📸 Arben Llapashtica