Botë

BE: Votimi i Brexit sa më parë

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian janë deklaruar të gatshëm për negociimin e Brexit-it, në prag të daljes së parashikuar të Britanisë së Madhe nga Unioni në fillim të vitit të ri.

Kryetari i Këshillit Evropian, Charles Michel thotë se përparësia kryesore tani është zhvillimi i votimit për marrëveshjen e tërheqjes në të dy parlamentet.

“Le të fillojmë duke organizuar, sa më shpejt të jetë e mundur, votimet në Parlamentin Britanik dhe në Parlamentin Evropian dhe pas kësaj do të shohim hap pas hapi se si mund të çojnë negociatat në më të mirën për interesat evropiane,” tha ai.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen e ka përshkruar zbatimin në kohë të diçkaje të tillë si jashtëzakonisht të vështirë, duke shtuar se BE-ja do të jetë e gatshme të propozojë një mandat për negociatat.

Brexit-i tani pothuajse është i sigurtë që do të ndodhë më 31 janar dhe Britania do të hyjë në një periudhë kalimtare deri në fund të vitit 2020, duke mbetur në marrëveshjet ekonomike të BE-së, por pa të drejtë vote.

Zgjatja e periudhës kalimtare është e mundur nëse BE-ja dhe Britania e Madhe bien në ujdi.

Një amendament në Projektligjin për Marrëveshjen e Tërheqjes, i cili do të sjellë hyrjen në fuqi ligjërisht të Brexit-it pritet të votohet nga ligjvënësit britanikë këtë javë.