Ballina

BE: Urgjentisht të fillohet me zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të saj

By GAZETA SCANNER 1

August 25, 2024

Bashkimi Evropian (BE) ka bërë thirrje për Kosovën dhe Serbinë që urgjentisht të fillojnë zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të saj shoqërues të Ohrit.

Ai kujtoi se rruga drejt normalizimit mes dy vendeve pararendëse e asaj të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Qëndrimi i BE-së për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit është shumë i qartë, i është komunikuar të gjithë të përfshirëve në disa raste dhe nuk ka ndryshuar: duhet urgjentisht të fillohet me zbatimin e kësaj Marrëveshjeje dhe aneksit të saj. Progresi në këtë drejtim është i lidhur ngushtë me progresin në rrugën e anëtarësimit në BE të Kosovës dhe Serbisë,” deklaroi zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, për RTV Dukagjinin.

Që nga arritja e saj, Marrëveshja e Brukselit, e cila synon normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ka shënuar progres minimal.

Në këtë kontekst, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti gjatë një interviste për Zërin e Amerikës deklaroi ditë më parë se Kosova e respekton marrëveshjen dhe se janë të gatshëm ta zbatojnë. Megjithatë, sipas kreut të Qeverisë, është pala serbe e cila nuk po respekton atë.

“Ne e respektojmë marrëveshjen, ne jemi të gatshëm që ajo të zbatohet, por nuk mund të kemi partneritet në zbatim, përderisa ka mosrespektim.” – tha ai.

Kurti akuzoi Serbinë për tërheqje nga marrëveshja, duke vënë në dukje se ish-kryeministrja e Serbisë Bërnabiç i komunikoi publikisht BE-së se Serbia po tërhiqej nga angazhimi.

“Në dhjetor të vitit të kaluar ish-kryeministrja e Serbisë Bërnabiç, praktikisht me letër publike dhe zyrtare drejtuar 27-ës së Bashkimit Evropian, u tërhoq në emër të Serbisë nga marrëveshja bazike. Pra Serbia duhet të kthehet tek marrëveshja, ta respektojë atë, në mënyrë që ta zbatojmë. Në kuadër të kësaj marrëveshjeje janë edhe 39 marrëveshjet e mëhershme që pararendësit e mi i kanë bërë në Bruksel.” – tha Kurti më tej.

Ai theksoi se mbetet i përkushtuar që t’i “trajtoj me përpikmëri dhe përkushtim” marrëveshjet e arritura mes palëve në mënyrë që të normalizohen marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

“Unë jam shumë i interesuar përveçse i gatshëm, që t’i trajtoj ato me përpikmëri dhe përkushtim, në mënyrë që të normalizohen marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë të cilat natyrisht në zemër të tyre duhet të kenë atë që siç e ka quajtur Presidenti amerikan Biden, njohje reciproke, pra ku Kosova e njeh Serbinë sepse Serbia e njeh Kosovën.” – ka thënë Kurti.