Botë

BE: Qeveria e re maqedonase të avancojë rrugën drejt integrimit

By GAZETA SCANNER 1

May 10, 2024

Bashkimi Evropian (BE) i ka inkurajuar faktorët politikë në Maqedoninë e Veriut që të punojnë në krijimin e një Parlamenti dhe të një qeverie stabile, e cila do të avancojë rrugën e integrimit evropian të Shkupit.

Kështu tha përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe sigurisë, Josep Borrell, dhe komisionari për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Varhelyi, përmes një deklarate të përbashkët lidhur me zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale që u mbajtën në Maqedoninë e Veriut më 8 maj.

Dy zyrtarët e lartë evropianë thanë se zgjedhjet parlamentare dhe ato presidenciale u zhvilluan në një atmosferë paqësore dhe demokratike, në të cilën u respektuan liritë themelore, ndonëse, sipas Borrellit dhe Varhelyit, kanë mbetur disa procese që ende nuk janë rregulluar në mënyrë e duhur.

Zgjedhjet parlamentare i fitoi VMRO DPMNE, e cila deri më tani ka qenë në opozitë, ndërkaq ato presidenciale i fitoi kandidatja e po kësaj partie, Gordana Silanovska-Davkova.

“BE i uron presidentes Silanovska-Davkova zgjedhjen e saj dhe i gëzohet bashkëpunimit me presidenten e re, gruas së parë si shefe e shtetit në Maqedoninë e Veriut”, u tha në komunikatë.

Borrell dhe Verhelyi ia rikujtuan Maqedonisë së Veriut se duhet të punojë në reformat që do ta ndihmojnë atë në rrugën e saj evropiane.

“Ne inkurajojmë të gjithë aktorët relevantë politikë që të punojnë në formimin e Parlamenti dhe një qeverie stabile. Të dyja institucionet duhet të punojnë së bashku për ta avancuar Maqedoninë e Veriut në rrugën drejt BE-së, përfshirë edhe përmes zbatimit të reformave në fushën e sundimit të ligjit dhe luftës kundër korrupsionit, në interes të të gjithë qytetarëve”, thanë Borrell dhe Varhelyi.

Sipas dy zyrtarëve të lartë evropianë, Shkupi ka bërë hapa vendimtarë në procesin e anëtarësimit në bllokun evropian dhe është e rëndësishme që shteti të zbatojë obligimet “që kanë mbetur si të domosdoshme për hapjen e bllokut të parë të kapitujve në procesin e anëtarësimit”.