5.1 C
New York
Friday, November 29, 2024

Buy now

BE: Kosova e Serbia të përmbahen, s’duam përshkallëzim

- Advertisement -

Bashkimi Evropian dhe shtetet anëtare nuk duan përshkallëzim të situatës teksa po afrohet 31 tetori, që është edhe afati i fundit për ndërrimin e targave me inicialet e qyteteve të Kosovës nga periudha e para luftës, me ato RKS.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, thotë se Kosova dhe Serbia duhet të përmbahen nga hapat përshkallëzues.

“Bashkimi Evropian dhe shtetet e saj anëtare presin që Kosova dhe Serbia të përmbahen nga hapat e njëanshëm, përshkallëzues dhe të përqendrojnë të gjithë energjinë dhe përpjekjet në arritjen e përparimit në dialog për ta çuar atë përpara drejt qëllimit përfundimtar të arritjes së një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve”, ka thënë zëdhënësi i BE-së për Klan Kosovën.

Stano, mes tjerash, tha se parandalimi i përshkallëzimit mes dy vendeve mund të arrihet vetëm përmes dialogut.

“Progresi në dialog është mënyra më e mirë për të parandaluar përshkallëzimin që dëmton vetëm njerëzit në të dyja anët”, theksoi Stano.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë ditës së djeshme, pas përfundimit të Samitit për Ballkanin Perëndimor në Prishtinë, ishte i prerë se vendimi për riregjistrimin e të gjitha veturave me targa RKS nuk shtyhet më pasi i njëjti vendim u shty një herë në fund të shtatorit.

“Ne vend se të jetë më 1 tetor është data 1 nëntor, pra data e fundit është 31 tetori kur të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilat kanë automjete me targa të stërvjetëruara të kohës së Millosheviqit, do të kenë mundësi t’i konvertojnë ato në targa legale”, ka deklaruar Kurti.

Kreu i ekzekutivit, mes tjerash, tha se ky vendim nuk është kundër serbëve që jetojnë në Kosovë.

“Ne bëjmë më të mirën e mundshme duke mos kursyer energjinë dhe dijen tonë. Këto nuk janë masa kundër serbëve, përkundrazi janë masa për serbët që u ofrojnë lehtësime financiare. Jemi të interesuar që të gjithë të jemi të barabartë. Nuk mund të jemi të barabartë kur dikush ka targa RKS e dikush dëshiron t’i mbajë KM”.

“Nuk është as hakmarrje, as inat, por është zbatim i ligjit që nuk i diskriminon njerëzit në bazë të përkatësisë etnike”, deklaroi Kurti.

Pos Bashkimit Evropian, as Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk duan përshkallëzim të situatës me vendimin për targat.

Një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë, sot ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Shtetet e Bashkuara synojnë që vendimi i Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në RKS – Republika e Kosovës – të zbatohet në mënyrë paqësore, dhe të mos kontribuojë në rritje të tensioneve.

Mes tjerash, Ambasada ka thënë se SHBA-ja, bashkë me partnerët evropianë, besojnë se vendimi i Qeverisë së Kosovës është në përputhje me marrëveshjet e Brukselit, dhe në se në parim, nuk kanë mospajtime për të.

“Megjithatë, ne kemi kërkuar, bashkë me partnerët tanë ndërkombëtarë, një shtyrje dhjetëmujore për zbatim të vendimit”, është thënë në përgjigjen e Ambasadës.

Për këtë çështje ka folur edhe Ned Price, zëdhënës i Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken, gjatë ditës së martë (25 tetor). Ai i bëri thirrje Kosovës dhe Serbisë që çështjen e targave ta zgjidhin në mënyrë paqësore.

“Mesazhi ynë për këtë ka qenë konsistent. Ne e mbështesim plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, tha Price.

Mes tjerash, ai tha se Blinkeni ka folur edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nga të cilët kërkoi angazhim të vazhdueshëm për të siguruar paqe dhe stabilitet, njofton Klankosova.tv.

“Kjo është arsyeja pse Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit Gabriel Escobar, ishte në Prishtinë dhe Beograd për të mbështetur këtë proces. Siç e dini, edhe vetë Sekretari ka qenë thellësisht i angazhuar në këtë. Ai foli me presidentin serb Vuçiq dhe kryeministrin e Kosovës Kurti në fillim të këtij muaji, më 11 tetor, besoj se ishte. Ai nënvizoi mbështetjen tonë për dialogun Kosovë-Serbi të lehtësuar nga BE-ja. Ai kërkoi angazhim të vazhdueshëm konstruktiv për të siguruar paqen dhe stabilitetin në të gjithë rajonin”, tha Price.

Të ngjashme

111,400FansaPëlqeje
12,000NdjekësitNdjek

Të fundit