Lajme

BDI-ja i reagon Kurtit: Deklaratat për gjuhën shqipe, të pavërteta dhe të papranueshme

By GAZETA SCANNER 1

November 19, 2024

Bashkimi Demokratik për Integrim i ka reaguar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për deklaratat rreth gjuhës shqipe.

BDI-ja i ka quajtur deklaratat të pavërteta dhe të papranueshme.

Reagimi i plotë:

Deklaratat e fundit të Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, lidhur me statusin e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut janë të pavërteta dhe të papranueshme.

Ligji për Përdorimin e Gjuhëve në Maqedoninë e Veriut, miratuar si pjesë e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e njeh qartë dhe garanton përdorimin e gjuhës shqipe si një gjuhë zyrtare dhe si një e drejtë themelore e shqiptarëve.

Në mënyrë specifike, neni 1, paragrafi 2 i ligjit thekson qartë: “Gjuhë tjetër që e flasin së paku 20% e qytetarëve (gjuha shqipe), gjithashtu është gjuhë zyrtare dhe alfabeti i saj, në pajtim me këtë ligj.”

Çdo pretendim i kundërt është një shtrembërim i fakteve dhe një mungesë e respektit ndaj arritjeve të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Për të sqaruar çdo keqinterpretim apo shpërndarje të informacionit të pasaktë, kemi shpërndarë përmbajtjen e plotë të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve Qeverisë së Kosovës, deputetëve të Kuvendit të Kosovës, partive politike dhe mediave në Kosovë.

Ky veprim është bërë për të provuar me fakte se deklaratat e Kryeministrit Kurti nuk qëndrojnë dhe për të garantuar që publiku në Kosovë të jetë i informuar drejt.

Është për keqardhje që një Kryeministri I Kosovës jep deklarata që përputhen me narrativat që synojnë të minojnë të drejtat e shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Sugjerimet se disa nene të ligjit edhe ashtu nuk janë zbatuar dhe se rishikimi i Gjykatës Kushtetuese mund të jetë i pranueshëm i japin alibi përpjekjeve për të dobësuar këtë legjislacion vital.

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut e shohin këtë si një akt që shkon kundër interesave të tyre dhe si një zhgënjim i madh nga një politikan që duhej të ishte mbështetës i të drejtave të shqiptarëve kudo.

I bëjmë thirrje Kryeministrit Kurti të korrigjojë menjëherë deklaratat e tij dhe të mos shërbejë si mburojë për asnjë përpjekje që cenon barazinë dhe të drejtat e shqiptarëve.

Pavarësisht divergjencave politike, ne besojmë se interesat kombëtare dhe të drejtat e shqiptarëve nuk mund dhe nuk duhet të përdoren për qëllime politike apo për të justifikuar padrejtësitë.

Ky moment duhet të shërbejë si një kujtesë për rëndësinë e unitetit dhe solidaritetit mes shqiptarëve, veçanërisht kur janë në rrezik arritjet tona historike.

Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut nuk do të pranojnë kurrë asnjë hap prapa në të drejtat e tyre.