Avokati Arianit Koci ka kërkuar “reflektim të kujdesshëm” në dritën e bastisjes së shtëpisë të Bashkim Smakajt, ish-drejtori i Agjencisë së Inteligjencës së Kosovës (AKI). Në kontekst të këndvështrimit të sigurisë kombëtare, Koci vlerësoi se shqetësimi më i madh ndërlidhet me “garantimin se çdo informacion i ndjeshëm apo i klasifikuar që evetualisht mund të jetë gjetur gjatë bastisjes, dhe që nuk ka lidhje me rastin penal, të mbetet i mbrojtur.”
Avokati shtoi se, në rast keqpërdorimit të informacioneve të tilla, mund të cenohet siguria kombëtare e vendit.
“Informacione të tilla, nëse keqpërdoren, mund të cenojnë sigurinë kombëtare të Kosovës. Kam besim të plotë se institucionet përkatëse do të veprojnë me kujdes dhe përgjegjësi për të shmangur çdo rrezik të tillë. Po ashtu, është jetike që të ruajmë me çdo kusht bashkëpunimet dhe komunikimet tona strategjike me partnerët ndërkombëtarë në sferën e inteligjencës.” – tha ai ndër të tjera.