Lajme

Basha: Rithemelimi u shit, marrëveshja Rama-Berisha në vijim të asaj të vitit 2008

By GAZETA SCANNER 1

March 16, 2024

Pas arritjes së marrëveshjes mes Partisë Socialiste dhe Rithemelimit për ngritjen e dy Komisioneve Hetimore, Lulzim Basha reagoi ashpër ndaj deputeteve të opozitës, duke u shprehur se revolucioni i nisur prej tyre u shit.

“Pesë muaj që iu bëjmë thirrje atyre që kanë vepruar shpeshherë në emër të demokratëve ta ndalin këtë marrëzi dhe ja ku është produkti: një ligj i ndryshuar për komisionet hetimore, një revolucion i shitur për të hetuar Ilir Beqën nga parlamenti, ndërkohë që përpiqet të bëhet gati për t’u futur në burg nga SPAK-u. Këta do ngrejnë komision për të hetuar se çfarë shkeljesh administrative ka bërë. Për këtë u shit revolucioni i premtuar. Ku është revolucioni? Ku është përmbysja e Ramës? Cila është fitorja që u shet sot demokratëve të Kurbinit që i more pas vetes me premtimin se do rrëzoje Edi Ramën”, deklaroi Basha.

Më tej ai tha se qëllimi i marrëveshjes është është vijimi i asaj të 2008- ës mes Sali Berishës dhe Ramës për mbajtjen mbyllur të listave të kandidatëve për deputetë.

“Nisesh për betejë personale dhe merr me vete të gjithë demokratët e ndershëm. Përpjekja për të korrigjuar ligjet e Edi Ramës. Ky ishte revolucioni? E kuptojnë gjithë se diku tjetër flen lepuri te marrëveshja famëkeqe e kushtetutës së deputetës për të koontrolluar sistemin politik që ua ka lënë trashëgimi Ramiz Alia. Aty ka persona të katapultuar aty pa asnjë meritë që kanë frikë listat e hapura. Janë bërë bashkë për të bllokuar votën e emigrantëve”, deklaroi Basha.