Në fundjavë është vendi i preferuar për shumë kosovarë.
Por ecja në afërsi të liqenit të Batllavës në Podujevë është vështirë i kalueshëm.
Kjo për shkak të rritjes së barit në këtë zonë e cila konsiderohet si vend turistik.
Me rritjen e barit rrezikohet që gjatë sezonës së verës të shfaqen edhe gjarprinjtë.
“Bari është këtu i madh nuk kositët nga kërkush hiq, gjarpërinj ka knej, shtëpinë e kam afër. Njerëzit që vijnë janë të pa ndërgjegjshëm, kallin thyejnë e lajnë mbeturinat nuk i marrin me vete, tri herë ka pru komuna shporta, asnjë nuk e kanë lënë”, ka thënë banori i fshtit Orllan, Ymer Bajrami.
E një pjesë e kësaj hapësire po mirëmbahet nga pronarët e barkave që gjenden në afërsi të liqenit.
Mirëpo në mungesë të shportave ata po detyrohen që mbeturinat e turistëve ti dijegin.
“Problem po kemi, pasi siç po shihet po mirëmbajmë vetë, sivjet është e treta herë që e kemi kosit vetë, me bërllok e me krejt e mbledhim vet, me pas mujt një kontinjerë me na pa pru, se qatje e kemi qeli një gropë e po e kallim bërllokun”, ka thënë pronari i barkave, Denis Mavriqi.
Nga Komuna e Podujevës bëjnë me dije se mirëmbajtja e zonës për rreth liqenit të Batllavës është përgjegjësi e Ministrisë së Mjedisit.
Por sipas zëdhënësit të komunës, Fatri Zhitia po planifikojnë që të angazhojnë punëtorë shtesë gjatë sezonës së verës.
“Meqenëse Liqeni i Batlllavës është shpallur zonë e mbrojtur nga ministria e Mjedisit, në vitin 2013 në kohën kur Hashim Thaçi ishte kryeministër, dhe tash kësaj ministrie iu kanë shtu kompetencat në mbikëqyrjen dhe mirëmbajtjen e kësaj hapësire, ne po planifikojmë që përmes kontratave që lejon Qevria e Kosovës, të angazhojmë punëtorë shtesë për mirëmbajtjen e asaj hapësire”, ka deklaruar ai.
Aktualisht për pastrimin e kësaj zone përkujdeset vetëm një punëtor.
Televizioni ka tentuar të marrë një qëndrim edhe nga Ministria e Mjedisit, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje deri në publikimin e kronikës.