Sport

Barcelona nis bisedimet për transferimin e njërit prej lojtarëve kryesor të Leverkusenit

By GAZETA SCANNER 1

June 11, 2024

Barcelona po shpreson se ata do të arrijnë të rikthehen tek limiti i pagave këtë verë, dhe nëse e bëjnë këtë, kjo do t’i lejonte drejtorit sportiv Deco dhe trajnerit Hansi Flick, që të bëjnë transferime të reja.

Një nga pozitat që nuk është sinjalizuar si një prioritet është ajo e mbrojtësit të djathtë, por blaugranasit duan të bëjnë lëvizjet e para për transferimin e yllit të Bayer Leverkusenit, Jeremie Frimpong.

Reprezentuesi holandez ka qenë një “makth” për mbrojtjet kundërshtare këtë sezon, duke luajtur si mbrojtës i djathtë, mesfushor i djathtë e me raste edhe në fazën e sulmit.

Siç raporton Sport, Frimpong është një objektiv i sugjeruar nga Flick. Barcelona ka qenë në kontakt me Leverkusenin për një marrëveshje të mundshme, dhe “Aspirinat” raportohet se janë të hapur që të përfshihen lojtarë në marrëveshje për ta zbritur çmimin.

Informacioni në media është se në ditët e fundit, Leverkuseni e ka kontaktuar Barcelonën për Ansu Fatin, duke kërkuar një marrëveshje huazimi ose një transferim me çmim të ulët (10-15 milionë euro), ani pse besojnë që lojtari do ta refuzonte një ofertë pasi dëshiron që t’i demonstrojë aftësitë e tij tek Flicku gjatë parasezonit.

Barcelona tashmë e ka futur veten në mesin e ekipeve të interesuara për Frimpong, por deri sa të marrin “dritën e gjelbër” në aspektin financiar transferimi duket i pamundur.

Në fakt pozita e sulmuesit të krahut të majtë dhe një mesfushor mbeten si prioritetet kryesore, por momentalisht nuk duket e sigurt që Barcelona do të ketë para për të shpenzuar, përveç në rast se bëjnë disa shitje të mëdha për të gjeneruar fonde.