Sport

Barcelona gjen tre pasuesit adekuat për Robert Lewandowskin

By GAZETA SCANNER 1

September 23, 2024

Barcelona është gati që sezonin tjetër ta zëvendësojë sulmuesin Robert Lewandowski, ani pse polaku po tregon formë të mirë deri më tani.

36-vjeçari e ka nisur për mrekulli këtë sezon duke shënuar katër herë në pesë paraqitje, por klubi i La Liga-s nuk mund ta injorojë faktin se ka hyrë në fundin e karrierës.

Barcelona shpenzoi shumë para për Vitor Roque, mirëpo as braziliani s’iu doli siç pritnin. Kësisoj u huazua te Real Betisi, ndërsa janë gati për ta shitur këtë verë.

“Sport” raporton se drejtuesit e Barcelonës kanë diskutuar për mundësitë e mundshme dhe tre emra janë favoritët deri më tani.

Erling Haaland mbetet zgjedhja e parë e qartë. Ylli i Man Cityt është aktualisht golashënuesi më i mirë në botë, ku ka shënuar 99 gola në 104 paraqitje.

Por, edhe nëse City disi pranon ta shet atëherë mund të kërkojë rreth 175 milionë euro, vlerë të cilën Barcelona në asnjë aspekt nuk mund ta paguajë.

Opsion tjetër është suedezi i Sporting CP Viktor Gyokeres, i cili po kërkohet edhe në Angli me ngulm, nga klubet si Arsenali, Chelsea dhe Liverpoool.

Gyokoeres ka një klauzolë lirimi në vlerën e 100 milionë eurove, ndërkohë Sporting e ka bërë të qartë se nuk hynë në negociata për ta zbritur këtë çmim për 26-vjeçarin.

Opsioni i tretë është slloveni i RB Leipzigut, Benjamin Sesko, që vlerësohet si më i liri në krahasim me dy të parët. Një marrëveshje për Seskon mund të mbyllet për 65 milionë euro, pra aq sa kushtoi Dani Olmo.

Megjithatë, Barcelona fillimisht duhet të shesë, ku janë të gatshëm të largojnë emrat si Ferran Torres e Raphinha.