Lajme

Baraliu: Serbia po luan “vallen e djallit”, ka vë në lajthitje BE-në

By GAZETA SCANNER 1

October 24, 2024

Profesori universitar, Mazllum Baraliu, ka thënë se takimi i sotëm në Bruksel sikurse edhe ata të kaluarit ka dështuar për fajin e Serbisë.

Sipas tij, Serbia po dëshiron të blejë kohë me metoda e lojëra jo korrekte, duke insistuar në tema periferike e jo në zbatimin e marrëveshjes.

Barliu në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1, ka thënë se Serbia me lojëra të tilla po e vë në lajthitje Bashkimin Evropian dhe po e luan “vallen e djallit”.

“Edhe ky takim në vazhdën e takime ka dështuar me fajin e njërës palë këtë rast Serbisë, e cila në forma të ndryshme, me metoda të ndryshme jo parimore, por të lojës diplomatike po e shtynë çdo mundësi të përparimit të dialogut, po blenë kohën. Duke përdorur lojëra të pakëndshme e ka vu në lajthitje dhe po luan vallen e djallit me BE-në dhe Kosovës i ka shkaktuar dëme”, ka thënë ai.

Baraliu ka thënë se Serbia u detyrua të shkojë në këtë takim nën presionin e pas takimit të Procesit të Berlinit nga përfitimet e mundshme nga ky takim.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se takimi mes tij dhe homologut të vet serb, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e të dërguarit të Bashkimit Evropian, përfundoi pa ndonjë rezultat, sa i përket ecjes përpara drejt normalizimit të raporteve.

“S’ka rezultate në pikën rreth ecjes përpara në normalizim të raporteve. Serbia po insiston edhe më tutje në implementim të pjesshëm, sipas idesë ‘ne bëjmë diçka ju bëni diçka’”, ka thënë ai pas takimit.