Lajme

Baraliu: Lajçak ka qenë gjatë gjithë kohës i njëanshëm në procesin e dialogut

By GAZETA SCANNER

December 19, 2024

Njohësi i çështjeve politike, Mazllum Baraliu, ka deklaruar se emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka qenë gjatë gjithë kohës i njëanshëm gjatë procesit si ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi.

Sipas Baraliut, Lajçak dhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borell e kanë favorizuar Serbinë në problemet që kanë ndodhur mes dy vendeve.

“Ajo deklaratë nuk është as reale as e vërtetë për arsye se pikërisht Lajcaku është ai bashkë me Borellin dhe Borella të tjerë të cilët kanë qenë gjatë gjithë kohës të njëanshëm, kanë favorizuar Serbinë, problemet që kanë ndodhur”, ka  thënë ai në emisionin “Ditari”, në Tëvë1.

Ai më tej i ka dhënë të drejtë presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për deklaratën e saj të së mërkurës se Bashkimi Evropian është i “padrejtë” ndaj Kosovës.

“Pikërisht me të drejtë presidentja jonë jo vetëm që ka thënë por edhe ka dhënë vëretje në konkluzat e takimit të djeshëm të Bashkimit Evropian me liderët ballkanik për arsye se sic duket e ka vërejtur Osmani se ata që po vazhdon si duket avazi i vjetër i politikës miope të Bashkimit Evropian në relacion me problemet e Ballkanit Perëndimor veçanërisht në relacione me Kosovën dhe Serbinë sepse sanksionet që janë shumë të dëmshme dhe të vëna pa të drejtë nuk po hiqen”, ka shtuar ai.

Liderët e Bashkimit Evropian dhe ata të Ballkanit Perëndimor u takuan më 18 dhjetor në Bruksel në një samit ku, përmes një deklarate përfundimtare, vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor iu kërkua që të zgjidhin mospajtimet ndërmjet vete sikur edhe me fqinjët në BE, në mënyrë që të përshpejtohet procesi i zgjerimit.

Në veçanti, Kosovës dhe Serbisë i është kërkuar që të avancojnë në procesin e normalizimit të raporteve ndërmjet tyre duke i përmbushur detyrimet që dalin nga dialogu, të cilin e lehtëson BE-ja.

Ndërsa, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke folur pas mbërritjes në Bruksel për samitin BE-Ballkani Perëndimor, e ka kritikuar Bashkimin Evropian se është i “padrejtë” ndaj Kosovës në politikat e saj në Ballkanin Perëndimor, duke mos i hequr masat ndëshkuese ndaj saj dhe duke mos treguar gatishmëri për ta shqyrtuar kërkesën e saj për anëtarësim në bllok.