Botë

Banka Botërore: Rritja ekonomike e Kinës, më e ngadalta që nga vitet 1960

By GAZETA SCANNER 1

October 04, 2023

Disa orë pasi Republika Popullore e Kinës festoi ditëlindjen e saj të 74-të më 1 tetor, Banka Botërore uli parashikimin për rritjen ekonomike të këtij vendi për vitin e ardhshëm.

Banka Botërore tha në parashikimin e saj rajonal gjysmë-vjetor, të publikuar të dielën, se pret që prodhimi ekonomik i Kinës të rritet me 4.4% gjatë vitit 2024, nga 4.8% që pritej në prill. Banka vuri theksin tek dobësitë që po përjeton sektori kinez i pasurive.

Banka paralajmëroi gjithashtu se ekonomitë në zhvillim të Azisë Lindore, përfshirë Kinën, do të zgjerohen me një nga ritmet më të ulëta “që nga fundi i viteve 1960”, duke përjashtuar ngjarje të jashtëzakonshme si pandemia COVID-19, kriza financiare aziatike në fund të viteve 1990 dhe trazirat ekonomike globale të naftës në vitet 1970.

Banka uli parashikimin për vitin 2024 për rritjen e prodhimit të brendshëm bruto (PBB) për ekonomitë në zhvillim në Azinë Lindore dhe Paqësor, përfshirë Kinën, në 4.5%, nga norma prej 5% që pritej këtë vit.

Për vitin 2024, banka uli parashikimet rajonale në 4.5% rritje nga 4.8%, duke përmendur faktorë të jashtëm, përfshirë një ekonomi të ngadaltë globale, norma të larta interesi dhe proteksionizëm tregtar.

Manuela Ferro, zëvendëspresidente e Bankës Botërore për Azinë Lindore dhe Paqësorin në Bankën Botërore, u citua nga media financiare “Investopedia” të ketë thënë se rajoni ka një nga “rritjet më e shpejta dhe më dinamike në botë, edhe nëse rritja është e moderuar”.

Ajo tha se ruajtja e rritjes së lartë gjatë një afati të mesëm do të kërkojë reforma për të “ruajtur konkurrencën industriale, diversifikuar partnerët tregtarë dhe çlirimin e potencialit të rritjes së produktivitetit dhe krijimit të vendeve të punës në sektorin e shërbimeve”.

Përpara “Ditës Kombëtare” të Kinës më 1 tetor, Presidenti Xi Jinping mbajti një fjalim duke pranuar se rruga e Kinës përpara nuk do të jetë e sheshtë.

“E ardhmja jonë është e ndritshme, por rruga përpara nuk do të jetë e lehtë”, tha zoti Xi për rreth 800 të ftuarve të tij, disa prej të cilëve ishin diplomatë të huaj.

Në pritjen e 28 shtatorit, zoti Xi u tha të pranishmëve se Kina duhet të vazhdojë të kapërcejë “pengesat” dhe “forca e vendit vjen nga uniteti dhe besimi është më i vlefshëm se ari”.

Zoti Tseng Chien-yuan, me Shkollën e Re për Demokracinë, një organizatë tajvaneze që mbështet aktivistët e të drejtave të njeriut, i tha Zërit të Amerikës në gjuhën mandarin se fjalimi i zotit Xi tregon se Kina përballet me sfida që përfshijnë ekonominë e ngadaltë që vazhdon të rimëkëmbet nga politika e rrepte e Pekinit “zero-COVID” ndërsa përballet me pasiguritë ekonomike globale të shkaktuara nga agresioni rus në Ukrainë.

Zoti Tseng tha se, “Vërejtjet e udhëheqësit Xi Jinping i bëjnë njerëzit të ndiejnë se [ai] është pak në siklet për të ardhmen, [por] ai po bëhet gjithashtu gjithnjë e më i vetëdijshëm se situata ndërkombëtare me të cilën përballet Kina është shkaktuar nga lëvizjet e tij të tepruara politike që e çuan atë në një dilemë.”

Presioni nga sektori i pronave gjithashtu duket se po rëndon mbi ekonominë e Kinës. Në ditën e fjalimit të zotit Xi, gjigandi kinez i pasurive të paluajtshme “Evergrande Group” njoftoi se zoti Hui Ka Yan, kryetar i bordit të drejtorëve të kompanisë, ishte arrestuar nën dyshimin për kryerjen e krimeve të paspecifikuara. Çmimet e aksioneve të shumë prej filialeve të firmës Evergrande pësuan rënie./VOA/