Ekonomi

Banka Botërore 100 milionë dollarë hua për të mbështetur Shqipërinë pas tërmetit

Drejtori ekzekutiv për Shqipërinë Patrizio Pagano, gjatë një interviste për “Zërin e Amerikës”, ka bërë me dije se Banka Botërore është gati të japë menjëherë dy hua me vlerë rreth 100 milionë dollarë që do të përdoren sipas prioriteteve të qeverisë për të përballuar dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit.

Sipas tij, huatë do të jenë gati sapo të bëhet vlerësimi i dëmeve.

“Në rastin e Shqipërisë, ka një portofol ekzistues projektesh që nuk janë livruar ende e që mund të ripërshtaten për të zgjidhur disa nga problemet. Më e rëndësishmja, ka dy hua të politikave të zhvillimit, një prej të cilave sapo është miratuar nga bordi dhe tjetra është ende duke u përgatitur, që do të jenë gati për t’u livruar shumë shpejt”.

“Këto hua janë instrumente në mbështetje të buxhetit të qeverisë në përgjithësi dhe vlera e tyre shkon në gati 100 milionë dollarë. Këto janë fondet më të gatshme që mund të dislokohen sapo të kemi një shifër të vlerësimit të dëmeve dhe në bashkëpunim me qeverinë do të vendosen përparësitë”, ka thënë ai.

Më tutje, zyrtari i Bankës Botërore foli dhe për efektet që do të sjellë në ekonomi kjo fatkeqësi, duke veçuar uljen drastike që do të pësojë Prodhimi i Brendshëm Bruto.

“Zakonisht në situata të tilla, Prodhimi i Brendshëm Bruto për tremujorin kur ndodh ngjarja, do të jetë dramatikisht e ulët për arsye të uljes së prodhimit. Pra për vitin 2019 ekonomia do të ketë pasoja nga kjo ngjarje dhe ka të ngjarë që kjo të përçohet edhe në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm. Normalisht pas disa tremujorësh, fillon rindërtimi dhe ekonomia mëkëmbet. Në përgjithësi nuk do të parashikoja ndonjë efekt të madh pasi kjo nuk do të ndikojë ndoshta në tendencën që ka vendi”, ka deklaruar Pagano. / A2 CNN/