Fillimi i javës së 25-të të Superligës së Kosovës ka prodhuar ndeshje shumë interesante dhe rezultate befasuese. Kampioni në fuqi i Kosovës, Ballkani, ka pësuar humbje 2:0 nga Fushë Kosova, në anën tjetër Malisheva është kthyer te fitoret duke triumfuar ndaj Llapit 2:1, e Gjilani me shumë lehtësi fitoi ndaj Lirisë 3:0.
Ballkani që u kthye te rezultatet pozitive javëve të fundit, ka dëshpëruar ndaj skuadrës që rrezikon seriozisht rëninen nga Superliga, Fushë Kosova.
Pampurat kaluan në epërsi në minutën e 11-të, kur shënoi Alden Skrijelj dhe rezultati nuk ndryshoi më gjatë pjesë së parë.
Në pjesë të dytë, skuadra e udhëhequr nga Burim Shala shënoi edhe një herë për të dyfishuar epërsinë në minutën e 53-të.
Ilir Daja provoi të ndryshonte diçka duke bërë katër zëvendësime të menjëhershme, por përveç një goditje që u prit nga portieri në formë Boresllini, asgjë nuk pati më shumë, me Fushë Kosovën që fiton tre pikë shumë të vlefshme në luftën për të mbetur në Superligë.
Në anën tjetër, Llapi nuk e ka shfrytëzuar gabimin e Ballkanit, pasi pësuan humbje nga Malisheva, që po kalon formë të lartë.
Skuadra e Qëndrim Kidës u përball me një zëvendësim të detyrueshëm qysh në minutën e 18-të kur u lëndua portieri i parë i skuadrës, Flamur Gashi, por kjo nuk ndikoi shumë te skuadra, pasi Hadis Veliji tregoi paraqitje të mirë në vijim.
Në minutën e 25-të u shkaktua penallti nga Llapi dhe Drilon Hazrollaj që po kalon formë fantastike, ishte i saktë për 1:0.
Me të filluar pjesa e dytë, saktësisht në minutën e 48-të, një driblim mes dy lojtarëve i Hazrollajt që u pasua me një gjuajtje të pandalshme, e çoi Malishevën në epërsi 2:0.
Krejt çfarë Llapi arriti të bënte në këtë takim ishte një gol i shënuar nga Ahmed Januzi, i cili do të diskutohet gjatë, për shkak se u pretendua për një pozitë jashtë loje, ku as pamjet e VAR nuk ishin aq të pastërta.
Ndeshja tjetër e ditës së sotme ishte mes Gjilanit e Lirisë, ku Skifterët nuk e patën problem fare ta mposhtinin skuadrën prizrenase.
Elvedin Heric e kaloi skuadrën në epërsi në minutën e tetë të takimit, që ishte goli i vetëm i pjesës së parë.
Marko Roganovic shënoi për 2:0 në minutën e parë të pjesës së dytë, ndërsa Edi Basha e vulosi takimin për 3:0, pak minuta para përfundimit të ndeshjes.
Kështu, edhe pas humbjes, Ballkani vazhdon të kryesojë në renditje me një pikë më shumë se Llapi, teksa këto rezultate shkojn në favor të Dritës e Malishevës, në garën për titull kampioni, që po bëhet çdo herë e më e hapur. /Nacionale/