Në një video pothuajse dy orëshe kryeministri aktual Albin Kurti përveç tjerash kishte premtuar reforma të thella në ekonomi, pastaj ndërtimi i banesave për qifte të reja me kosto mujore për pagesë prej 150 eurosh, zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, bashkëpunim me komunitetin e bizneseve, ulje të varfërisë ekstreme, krijimin e Fondit Sovran dhe Bankës Zhvillimore, ndaljes së zhvatjes dhe korrupsionit, depolitizim të bordeve dhe menaxhmenteve të ndërmarrjeve publike, shuarje të AKP dhe përkrahje të barabartë financiare për të gjitha komunat e Kosovës.
Profesori universitar Ujkan Bajra i ka përshkruar premtimet e kryeministrit Kurti në ekonomi njëjtë sikur anekdotat e Nastradinit i cili kishte lëshuar një rren e të cilës nuk i kishte besuar në fund të katundit.
“Ideja se kush i fiton zgjedhjet lidhet me atë se kush din me i gënjye më shumë popullin, me premtu e me mashtru sa më shumë për t’i fituar zgjedhjet. Në kuptimin e premtimeve që ka dhënë para tri viteve kjo del të jetë një mashtrim i madh dhe asgjë më shumë. Pra ka premtuar gjëra të cilave sot as vet nuk u beson se mund të realizohen, sikur janë shumë e shumë premtime e me veçanta është sigurimi i banimit për qifte e reja me kosto mujore prej 150 eurosh”, ka thënë profesori Bajra.
Gjendjen ekonomike në vend profesori universitar Ujkan Bajra e ka përshkruar si shumë të rënduar dhe me ngecje të mëdha ne secilin segment të ekonomisë, derisa për për premtimet as nuk mund të flasim sepse asnjë nga to nuk u realizuan.
“Sektori i ekonomisë nuk është në fazën më të mirë të mundshme kjo për faktin i politikave që promovon kjo qeveri. Dëshira dhe pritjet para tri viteve kanë qenë shumë të mëdha ndërsa sot mund të themi se kemi ecur në kahje e kundërt të asaj që kemi pritur, kemi ngecje të mëdha, rënie të vazhdueshme ekonomike, rritje të varfërisë ekstreme e të korrupsionit, e gjitha kjo reflekton orientimin që ka marr kjo qeveri”, ka shtuar Bajra.
Premtimet ekonomike sipas profesor Bajrës kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë utopike apo të parealizueshme megjithatë kanë tingëlluar mirë dhe popullata ka besuar në to. /T7/