Deputeti nga Lëvizja Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka reaguar pas publikimit të sondazhit të UBO Consulting.
Ai thotë se sondazhi tregon se lufta do të zhvillohet për vendin e dytë nërmjet PDK-së dhe LDK-së, ndërsa shton se dihet që Vetëvendosje është e para me rreth 49% të votave pa mërgatën.
Ai tutje thotë se nëse mbahen zgjedhjet deri në fund vit të rregullta, sondazhi tregon që 50% do ta mbështesin Albin Kurtin për kryeministër të vendit.
“Sondazhi nuk tregon asnjë risi kjo është e ditur për çdo muaj dhe cdo 3 muaj apo edhe 6 muaj që bëhen, LVV prinë dhe atë prinë me rreth 50% minus plus, andaj kjo është normal dhe lufta do të jetë për vendin e dytë. Luftë e madhe është duke u bërë mes PDK dhe LDK për vendin e dytë. Ndërsa LVV 49 % i ka pa mërgatën sondazhi ka të bëjë pa mërgatën. Mendoj që lufta kryesore do të jetë mes PDK dhe LDK për vendin e dytë. Ndërsa populli ashtu siç ka zgjedh në vitin 2021 edhe këtë vit nëse mbahen zgjedhjet deri në fund vit të rregullta populli ka vendos dhe sondazhi po tregon që 50% do ta mbështesin Albin Kurtin për kryeministër të vendit dhe për punën që është bërë deri më sot si në qeverisje ashtu edhe në veriun e vendit dhe në arenën ndërkombëtare”, tha Bajqinovci për Gazeta Blic.
Në sondazhin e fundit të realizuar nga kompania UBO Consulting ka disa ndryshime në përqindje. Sondazhi, të dhënat e të cilit i ka publikuar mbrëmë gazeta online Reporteri.net, është realizuar gjatë pjesës së parë të muajit mars me 907 respondentë dhe me margjinë të gabimit plus-minus tre për qind.
Gjatë omnibusit të rregullt të UBO Consulting, qytetarët janë pyetur edhe në sondazhin se për kë do të votonin nëse zgjedhjet do të mbaheshin këtë të diel.
Sipas të dhënave që ka siguruar gazeta online Reporteri.net, Lëvizja Vetëvendosje në tre muajt e fundit ka rritje të lehtë me 49.5 për qind. PDK-ja ka rënë pak me 17.1 për qind ndërsa LDK-ja ka rënie pak më të madhe me 16 për qind, duke u renditur si forca e tretë politike në Kosovë.
Sondazhi i kryer në kuadër të omnibusit të rregullt, është realizuar para urdhrit të Qeverisë për tokat e manastirit të Deçanit dhe para se PDK-ja ta shpallte Bedri Hamzën kandidat për kryeministër.