Lajme

Bajqinovci i përgjigjet Stanos: Politikat e BE-së dhe ish-qeveritë e shndërruan veriun në çerdhe të krimit të organizuar

By GAZETA SCANNER 1

August 10, 2024

Deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci i ka reaguar zëdhënësit të BE-së, Peter Stanos për deklaratën se Ura e Ibrit është çështje shpërthyese.

“Urat zakonisht i bashkojnë njerëzit. Fatkeqësisht, situata që kemi në veri të Kosovës dhe në Mitrovicë është rezultat i një numri të madh rrethanash të vështira politike. Prandaj kemi thënë gjithmonë se është një çështje shpërthyese, një çështje problematike dhe si të gjitha çështjet problematike duhet të zgjidhet me dialog. Sepse nëse keni një problem, atëherë e zgjidhni me dialog, jo me vendime të njëanshme”, ka thënë Stano në një intervistë për median serbe N1.

Ndërkaq, Bajqinovci ka thënë se politikat e BE-së dhe ish-qeveritë e Kosovës, e kanë shndërruar veriun si çerdhe të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Pse argumenti i Stanos për Urën e Ibrit si çështje shpërthyese, nuk qëndron? Sepse janë pikërisht politikat e stabilokracisë në dëm të paqes, demokracisë e sovranitetit të shtetit të Kosovës, nga ana e BE-së dhe e ish-qeverive të Kosovës, që për vite me radhë, kanë shndërruar veriun e vendit në qerdhe të krimit të organizuar e të korrupsionit”, ka shkruar Bajqinovci në Facebook.

Sipas deputetit të VV-së, nga krimi në veri, vetëm Radoiçiqi dhe partnerët e tij kanë përfituar.

“Nga gjendja e kriminalizuar në veri, veç soji i Radojçiqit dhe partnerëve të tij në biznes e në politikë, kanë qenë përfitues. Humbësit ishin të gjithë të tjerët por më së shumti, vet qytetarët serbë atje. Pra, hapja e Urës do të thotë perseptivë zhvillimore e ekonomike për vet serbet në radhë të parë”, ka shkruar ai.