Lajme

Bahtiri thotë se ndërkombëtarët po mbajnë anën e Serbisë

By GAZETA SCANNER 1

September 16, 2023

“Ndërkombëtarët po e mbajnë anën e Serbisë”, vlerësoi kështu, ish-kryetari i Mitrovicës së Jugut Agim Bahtiri.

Në kuadër të diskutimit për zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë këtu edhe themelimin e Asociacionit, Bahtiri tha se nuk do të ketë normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, pa largimin e përfaqësuesit special të BE-së për dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogrdit, Miroslav Lajçak dhe Shefit të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

“Ndërkombëtarët po luajnë me dy karta, e të cilat nuk shkojnë në nderin e tyre. Dy ndërmjetësuesit, Borrell dhe Lajçak, mendoj që e mbajnë anën e Serbisë. Mendoj se pa largimin e këtyre të dyve, s’do të ndodhë asgjë mes Kosovës dhe Serbisë. Ne e dimë që qëllimi i Serbisë është ky, themelimi i Asociacionit, e më dikur të shpallet referendumi dhe të bëhet shkëputja e serbëve prej Kosovës”, deklaroi Bahtiri në emisionin “Infonata”.

I pyetur se a duhet Qeveria aktuale të jetë pak më elastike në raport me kërkesat e amerikanëve, Bahtiri tha se Qeveria mund të kritikohet për shumë segmente, po jo në çështjen e veriut.