Skuadra kosovare, Bad News Eagles, ka arritur fitoren e parë në Legends Stage të Blast Major Paris, duke u fituar me përmbysje ndaj organizatës më në formë në vitin 2023, G2, me rezultat 16-12.
Edhe kjo përballja si ajo e mëhershmja u zhvillua në vetëm një hartë (map), tani në Ancient, në sistemin më e mira nga një ndeshje (Bo1).
Të dy skuadrat kishin pësuar humbje në përballjet e para, dhe me rekordin 0-1 u takuan në ndeshjen e dytë.
G2 ishin ‘Terrorist’ në pjesën e parë dhe fituan me rezultat 10-5, ndërsa në pjesën e dytë BNE arritën të kthehen në lojë, duke përmbysur rezultatin, në fund për ta fituar të gjithën me rezultat 16:12.
Flatron Halimi (Juanflatroo), Rigon Gashi (R1gon) dhe Sener Mahmuti (Sener1) ishin më të dalluarit në këtë përballje, të tre me mbi 20 vrasje.
Tani me rekordin 1:1, Bad News Eagles do të takohet me një nga organizatat që kanë po të njëjtin rezultat nga dy ndeshjet e para.
Kujtojmë se për të arritur në fazën e fundit të Blast Major Paris, që njihet si Champions Stage, duhet të fitohen tri ndeshje.