Dritan Goxhaj, ish-luftëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është arrestuar në Tiranë me urdhër të Gjykatës Speciale. Policia e shtetit të Shqipërisë e ka konfirmuar arrestimin e tij, me qëllim ekstradimi. Babai i Dritanit, Dilaver Goxhaj, ka treguar për mediat se akoma nuk ka marrë asnjë informacion zyrtar mbi arsyen e arrestimit të djalin e tij.
Në një intervistë për emisionin “FIVE,” Dilaver Goxhaj ka bërë të ditur se ende nuk ka një shpjegim të qartë për shkakun e arrestimit të djalit të tij dhe se janë në pritje të avokatit të Dritanit për të marrë më shumë informacione rreth akuzave të cilat i ngarkohen. “Deri më tani, nuk kanë dhënë asnjë informacion,” – ka deklaruar ai.
I shqetësuar për arrestimin e Dritanit, Goxhaj ka shtuar se ende nuk ka arritur të kontaktonte me djalin e tij. “Nuk e dimë ende se si përse, nuk e dimë ende pse është arrestuar nga një Gjykatë e Kosovës këtu. Jo ende nuk kam kontaktuar me të, tash do të dalë avokati”, –ka pohuar më tej Goxhaj.