Lajme

Baba i hajnave!

By GAZETA SCANNER 1

November 19, 2024

Shkruan: Kimete Berisha

– Me hajnat e Albin Kurtit më së shumti po çuditen hajnat! Aq pa takt e në mënyrë amatore kanë vjedhur këta t’Kurtit sa që me guximin e tyre i kanë çuditur edhe hajnat më të rryer.

– S’është aspak e çuditshme që vjedhin ministrat e Albin Kurtit, gjithmonë kanë vjedhur dhe do të vjedhin shqiptarët, por është e palogjikshme që Albin Kurti u bë avokat i hajnave, aq fort, sa s’lë shibël të bie mbi ta!

– Pse i mbron hajnat Albin Kurti? Që janë të tij, apo që, ky mund të mos jetë më normal! S’di a do të ishte e tepërt të them se ata vjedhin për të.

– Të ishte ndryshe, do të distancohej, sa më larg. Ose të bëhej i mençur, ti hiqte këta hajna të dalë boje e të angazhonte hajna të Ri, derisa të zbulohen ….

– Që u bë baba i hajnave, u bë, por pse nuk përpiqet ta fsheh, s’e kuptoj pse këta njerëz nuk vjedhin fshehtë, por hapur e me arrogancë…

– A është e mundur që gjithë atë luftë që Albin Kurti e ka bërë në opozitë, në emër të idealeve, e ka bërë për të vjedhur pare.

– Materialist me fjalë të idealistëve! Apo, idealist ateist, që s’shkon hiç, se e mbaj mend veten si nxënëse që isha me Hegelin (idealist), kundër Marksit (materialist – ateist).

– Veç Zot s’kam parë këtu!

– E çka do të blejë ky, me gjithë ato pare….

– E ka legjitimuar krimin e organizuar dhe e ka familjarizuar vjedhjen. E ka bërë normale konfliktin e interesit dhe korrupcionin.

– U kanë dhënë miliona euro vëllezërve, kunatave, motrave, dajallarëve, tezeve, dashnorëve e dashnoreve… Nuk e fshehin. Vjedhin sy ndër sy, vjedhin ashiqare.

– Pse vjedhin ashiqare?

Pse s’i kanë lënë dy gurë bashkë! – Miellin e rezervave e kanë vjedhur me ndihmën e një shoku bukëpjekës! – Vajin ushqimor të rezervave shtetërore e kanë vjedhur pa lëvizur qerpikë. – Fasulen e ushtrisë e kanë vjedhur pa e blerë!

– Ka vjedhur Vitia edhe në emër të maskave, gjatë pandemisë, e ilaçe, por për t’u dukur të tokës, janë përcaktuar të vjedhin kryesisht ushqim dhe gjëra të amvisërisë, pra janë hajna folklorikë që vjedhin me def e me tupan, ama që e mbajnë veten për elitë.

– Paradite vjedhin lopë, e në mbrëmje shkojnë në Teatër për ta parë shfaqjen e operës ‘Eugene Onegin’ ! – Oh, sa gjynah, Onegini!

– E kanë paguar Tetëmijë euro në muaj ekspertin në Spanjë për shërbimet e tij prej sarhoshi. – E paguajnë Pesëmijë e kusur euro në muaj ekspertin në Prishtinë për të pirë cigare… – Ky i Prishtinës si personazh i Markezit, një orar pune e kanë parë duke pirë cigare njërën pas tjetrës në oborrin e Institucionit, me shikim të ngulitur në mur!

– Një ministër (me një rrogë) i ka blerë dy shtëpi në lagje luksoze. Si do t’ia konfiskojë Albin Kurti shtëpitë Liburn Aliut, nuk mundet, ose edhe mundet, po pastaj nuk mundet….

– Tjetri ministër e ka blerë një lopë 100 mijë euro. – Tjetra ministre e ka fshehur pasurinë e saj nga shteti;

– Çfarë do të konfiskojë Albin Kurti! – Lopën e Pecit! – Këshilltari i tij politik e ka këshilluar Pecin që është në favor të zhvillimit të bujqësisë së Kosovës që edhe këtij t’ia jap 100 mijë Euro!

– Po thu’ a?

– Këshilltar më tarzan nuk bën nana. Një gajbe molla – 100 mijë euro! Ndoshta janë edhe dy gajbe, por kush i ka numëruar! – Ata që numërojnë – vjedhin!

– A mund ta konfiskojë Albin Kurti pasurinë e fshehur të Donika Gërvallës! Nuk mundet sepse nuk e di ku është ajo pasuri, se Donika e mban sekret shtetëror!

– A mundet që Albin Kurti ta konfiskojë ahurin fantom të vëllait të deputetes së tij, që ka kushtuar njëqind mijë euro. – Nuk mundet sepse nuk ekziston ahuri!

– Ahuri kushton aq shtrenjtë sepse përmbi derë do ta ketë të varur një kordele pembe me fije ari, si ajo e Pelës materialiste dhe egoiste, Moli, në ‘Fermën e Kafshëve’.

– As paratë nuk mund t’ia konfiskojë atij vëllaut të motrës, se janë harxhuar!

– E Donikës hiç se hiç s’mund t’ia konfiskojë afro 90 mijë euro fjetje në bujtina të Amerikës! S’mundet, sepse gjumi nuk konfiskohet!

– Përveç vjedhjes së buxhetit dhe ndarjes së pasurisë shtetërore me shokë dhe me familjarë, Albin Kurti ka spikatur edhe në seks!

– Njëmbëdhjetë mijë shqiptarë, gra e burra në Facebook janë pajtuar me deklaratën e Albin Kurtit se ideja për seks publik e ministres së tij është keqkuptuar nga shqiptarët e Serbisë dhe të Rusisë, si dhe nga ata që e luftojnë seksualisht Kosovën e tij! Qëllimet seksuale të ministres kanë qenë edukative, tha!

– Pasi që populli dhe gazetarët konstatuan njëzëri se seksi është ‘krim’, Albin Kurti u tërhoq nga ‘edukata seksuale’ dhe tha që ideja perverse ishte e Arsim Bajramit!

– Arsimi nuk e pranoi krimin!

– Unë me një tjetër kasavet, mua më këputet shpirti se pse nuk quhet lënda ‘Edukata dashurore, po quhet edukata seksuale…’!

– Prandaj, kjo luftë ‘hibride’ e shqiptarëve proserb dhe prorus ishte fitore për Albin Kurtin, sepse e detyroi Albin Kurtin të heqë dorë nga fantazitë seksuale të ministres së tij, që sipas Frojdit jeta seksuale e grave është një ‘kontinent i errët’ për psikologjinë, prandaj kaq pak e hiç dihet për këtë ‘kontinent’!

– E si do ta konfiskojë ky kontinentin e errët seksual, kur ky kontinent s’shihet nga errësira!

– Veç Albin Kurtit i ka ndodhur që të merret me seks në dimër, derisa shumica e shkollave nuk kanë ngrohje!

– Ministrja e ka pasur nijet që bananet për orët edukative t’i sigurojë vetë! Nuk e ka marrë parasysh se ka njerëz që kanë fobi prej bananeve si ministrja e barazisë gjinore në Suedi, e cila e ka ndaluar nëpër zyra ‘praninë’ e bananeve sepse vuan nga bananofobia, dhe kështu kudo që shkon në takime, paraprakisht i largojnë bananet, se përhënët!

– Për korrupsionin kombëtar të Albin Kurtit s’ka koment:

1. U bë me Radojçiqin kundër pagave të veteranëve, familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të UÇK-së!

2. I prishi marrëdhëniet me Shqipërinë, me Amerikën dhe me BE-në;

3. Tha se gjuha shqipe në Maqedoni nuk është gjuhë zyrtare!

– Fluturoi dhe ra në të njëjtën stinë, si gjethe vjeshte. Albin Kurti dështoi jashtëzakonisht shpejt.

– Sikur krejt shqiptarë sa janë të çoheshin në këmbë kundër Albin Kurtit s’do të mund ta turpëronin sa e kanë turpëruar hajnat dhe injorantët e tij.

– Identik si Napoloni i ‘Fermës së Kafshëve’ (Orwell), i shkeli të Shtatë Urdhërat, asgjë që tha nuk e bëri, dhe asgjë që e bëri nuk e tha. Dallimi i vetëm mes tyre është se Napoloni është derr…!

P.S. ‘Pas meje, lexues’!