Botë

Azerbajxhani kërcënon me veprim ushtarak kundër Armenisë pas “provokimeve” në kufi

By GAZETA SCANNER 1

July 26, 2024

Azerbajxhani ka kërcënuar të enjten me veprim ushtarak të shkallës së gjerë kundër Armenisë, si përgjigje ndaj atyre që i ka cilësuar “provokime” armene përgjatë kufirit mes dy vendeve.

Ministria e Mbrojtjes e Azerbajxhanit ka pretenduar që ushtria armene ka përdorur “armë të rënda” dhe dronë zbulues në atë zonë.

Ministria, gjithashtu, i ka bërë thirrje Armenisë dhe sponsorëve të vet, “të përmbahen prej krijimit të një vatre të re lufte” në Kaukazin e Jugut.

“Nëse nuk ndalen këto veprime provokative, do të merren hapat e duhur, duke përdorur gjithë arsenalin e forcave të armatosura të Azerbajxahnit, për qëllime të vetëmbrojtjes”, është thënë në deklaratë.

Ministria i ka dënuar edhe fuqitë perëndimore që kanë rritur bashkëpunimin ushtarak me Armeninë, duke cituar stërvitjet e përbashkëta ushtarake, të kryera prej Shteteve të Bashkuara në Armeni këtë muaj, një marrëveshje për armët me Francën dhe alokimin e 10 milionë eurove prej Bashkimit Evropian si ndihmë ushtarake për Jerevanin.