Lajme

Avokati i Popullit, Ligji nuk përputhet me standardet ndërkombëtare

Institucioni i Avokatit të Popullit në Shqipëri ka reaguar në lidhje me paketën e njohur si “antishpifje”, e cila pritet të miratohet sot në Kuvend, ndërkohë që gazetarët do të protestojnë kundër.

 Avokati i Popullit thekson më tej se: “Ky projektligj nuk ofron garancitë e pranuara nga standardet ndërkombëtare për ushtrimin e rolit të medias dhe të gazetarëve si burime të indicies për hetime të mëtejshme në lidhje me çështje të caktuara. Në thelb filozofia e lirisë së medias si pushtet i katërt është pikërisht pushteti kontrollues përkundrejt pushtetit shtetëror”.

Me gjithë përmirësimet që janë pasqyruar në projekt-ligj nga varianti i parë i paraqitur për miratim si propozim i Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në përgjithësi vlerësojmë se ka pasur mungesë të reflektimit konstruktiv. Projekt-ligji synon rregullimin e veprimtarisë së portaleve online përmes një kornize ligjore, arritjen e një ekuilibri ndërmjet qasjes në shërbimet e përmbajtjes online, mbrojtjen e konsumatorit dhe konkurrencës, garantimin e të drejtave të njeriut, respektimin e të drejtave të autorit, arritjen e një gazetarie profesionale, të lirë dhe të pavarur, si edhe respektimin dhe garantimin e së drejtës së jetës private, moslejimin e transmetimeve që nxisin intolerancë, gjuhë urrejtje dhe dhunë në shoqëri:, thuhet në reagim. Ndryshe, Parlamenti i Shqipërisë pritet sot të miratojë paketën anti-shpifje, ndërsa gazetarët kanë paralajmëruar protestë.  Organizatat do të kërkojnë nga Qeveria shqiptare të tërheqë projektligjet nga procedura parlamentare.