Lajme

Avokati i mikut të arrestuar të Kurtit: Ridvan Muharremi është takuar me Rozeta Hajdarin në zyrën e saj

By GAZETA SCANNER 1

August 24, 2023

Mahmut Halimi, avokati i afaristit Ridvan Muharremi, i cili është arrestuar nën dyshime për keqpërdorime të rezervave shtetërore, ka thënë se klienti i tij është takuar me ministren Rozeta Hajdari në zyrën e saj në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT). Halimi në “Debat Plus” tha se Ridvan Muharremit i është kërkuar ndihmë për sigurimin e rezervave shtetërore nga vetë ministrja Rozeta Hajdari.

Me këtë, avokati Halimi e ka konfirmuar deklaratën e ministres Hajdari se nuk ka pasur marrëdhënie kontraktuale, por kjo nuk e ka penguar ministren që ta takojë atë dhe t’ia besojë një detyrë me rëndësi të veçantë dhe sekret shtetëror.

“Është ftuar nga ministria, i ka pyet me kënd je duke folur, ka thënë kur të vish në ministri lajmërohesh në recepsion pastaj takohemi, drejt në zyrën e Rozeta Hajdarit, aty kanë qenë zyrtarë të lartë të ministrisë, ka qenë edhe ministrja aty. Edhe Ridvani e ka cekë që për herë të parë Hajdarin e kam taku në zyrën e saj”, tha ai.

Halimi tha se nga Muharremi, ministrja Hajdari ka kërkuar të gjejë treg për të siguruar vaj dhe sheqer.

“Kanë kërku nga ai të shikoj të gjej treg të vajit dhe sheqerit, ka thënë se do të interesohet dhe do t’i lajmërojë shumë shpejt. Është përshirë për të kontribuuar”, ka thënë ai. Halimi tha se klienti i tij nuk ka pasur marrëdhënie kontraktuale me MINT-in, derisa shtoi se nënshkrimi i tij nuk gjendet në asnjë dokument.

E ministrja Hajdari në një konferencë për media tha se ajo nuk ka informacione se Muharremi është në ndonjë marrëdhënie kontraktuale.

“Unë nuk kam asnjë informacion që personi në fjalë (Ridvan Muharremi) është në ndonjë kontratë ose kontraktim të kontratave për rezervën shtetërore”.