Botë

Atentati ndaj Trumpit, jep dorëheqje shefja e Shërbimit Sekret në ShBA

By GAZETA SCANNER 1

July 23, 2024

Shefja e Shërbimit Sekret të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kimberly Cheatle ka dhënë dorëheqje mes shqyrtimit të gabimeve në siguri pas atentatit ndaj ish-presidentit amerikan, Donald Trump, raporton CNN, duke cituar burime.

Një zhvillim i tillë vjen derisa ligjvënësit dhe mbikqyrësit po ecin përpara me hetimet mbi atë se si e trajtoi agjencia mbrojtjen e Trump dhe se si një person i armatosur iu afruar vrasjes së kandidatit republikan për president.

Ka pasur thirrje në Kongres për dorëheqjen e saj si dhe një shtytje nga ligjvënësit amerikan për ta fajësuar atë. Kjo, sidomos pas paraqitjes së saj për dëshmi para Komitetit Mbikqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve të hënën, ku ajo raportohet se nuk ishte e gatshme t’u përgjigjej shumë prej pyetjeve.

Gjatë paraqitjes së saj, Cheatle ka pranuar se ka pasur problem “kolosale” dhe “të rëndësishme” me sigrinë gjatë tubimit, megjithatë, ka hedhur poshtë kërkesat për dorëheqejn e saj, transmeton Nacionale.

“Mendoj se jam personi më i duhur për ta udhëhequr Shërbimin Sekret aktualisht.” – ka thënë ajo gjatë së hënës.

Kryetari i Dhomës, Mike Johnson u ka thënë gazetarëve se dorëheqja është “e vonuar”:

“Tani duhet t’i mbledhim pjesët. Duhet ta rindërtojmë besimin e popullit amerikan në Shërbimin Sekret si agjenci. Është një përgjegjësi jashtëzakonisht e rëndësishme të mbrosh president, ish-presidentë dhe zyrtarë të tjerë, dhe kemi shumë punë për të bërë”.

Cheatle u emërua nga presidenti Joe Biden në vitin 2022.