I riu Thomas Matthew Crooks shkoi në vendin ku do të mbahej tubimi elektoral ish Presidentit Donald Trump, me një çantë të madhe shpine dhe një pajisje për të matur distancën nga çatia pas skenës ku ish-presidenti do të fliste brenda një ore.
Sjellja e tij ishte aq e çuditshme, aq ndryshe nga ajo e pjesëmarrësve të tjerë në tubim, saqë forcat e rendit e vunë re, njoftuan me radio shqetësimet e tyre dhe e fotografuan atë. Por më pas ai u zhduk.
Fotografia e tij u nda me policët e vendosur jashtë perimetrit të sigurisë atë pasdite të së shtunës. Por ai nuk u shfaq më derisa dëshmitarët e panë duke u ngjitur në anën e një ndërtese që ndodhej 135 metra nga skena, ku do të fliste zoti Trump.
Aty ai hapi zjarr, gjashtë minuta pasi zoti Trump filloi të fliste, në një përpjekje për të vrarë kandidatin republikan për president. Sulmuesi vrau një pjesëmarrës në tubim dhe plagosi rëndë dy të tjerë. Zoti Trump u plagos lehtë në vesh dhe u shfaq vetëm disa ditë më vonë në Kuvendin Kombëtar të Partisë Republikane në Miluoki me një fashë në veshin e dëmtuar.
Tani kanë filluar të bëhen shumë pyetje lidhur me incidentin. Kanë nisur hetime të shumta, si për vetë krimin, ashtu edhe për mënyrën se si organet e rendit e lejuan atë. Po bëhet gjithnjë e më e qartë se ky ishte një dështim ku përfshiheshin gabime të shumta mes të paktën nëntë divizioneve lokale dhe federale të zbatimit të ligjit që supozohej të punonin së bashku. Forcat e zbatimit të ligjit kanë paralajmëruar gjithashtu për potencialin e sulmeve të ngjashme dhe më shumë dhunë.
Kjo analizë bazohet në intervistat me tetë zyrtarë të zbatimit të ligjit dhe katër persona të njohur me një raport të forcave të rendit për senatorët të mërkurën lidhur me incidentin në Pensilvani, disa prej të cilëve folën për agjencinë e lajmeve Associated Press në kushte anonimiteti.
Agjenci të shumta punojnë së bashku për të siguruar ngjarjet si tubimi elektoral në Pensilvani
Shërbimi Sekret gjithmonë bashkëpunon me forcat lokale të zbatimit të ligjit kur një president, kandidat politik apo zyrtar tjetër i nivelit të lartë viziton një qytet, dhe tubimi i së shtunës nuk ishte ndryshe. Një ekip paraprak shkon herët për inspektuar vendin e tubimit dhe për të identifikuar zonat e mundshme të shqetësimit. Ata urdhërojnë lëvizjen e automjeteve, vendosjen e barrierave dhe bllokimin e rrugëve.
Në disa qytete më të mëdha, një ose dy agjenci lokale mund të punojnë së bashku me ekipet federale. Në shumë zona rurale, një agjenci lokale nuk mund të ketë personel të mjaftueshëm për një gjë të tillë, kështu që në këto operacione shpesh angazhohen agjenci të shumta të zbatimit të ligjit. Të shtunën, ishin të pranishëm anëtarë të forcave nga të paktën gjashtë agjenci të ndryshme, përfshirë dy stacione policie, policinë e shtetit dhe ekipe të shumta brenda Shërbimit Sekret, si dhe anëtarë të ekipeve të kërkim shpëtimit dhe emergjencave. Brenda këtyre agjencive ka divizione individuale që kanë përgjegjësi të ndryshme.
Në teori, është më mirë kur ka më shumë personel. Por shpesh kjo mund të krijojë probleme komunikimi dhe është e paqartë se si u transmetua informacioni për 20-vjeçarin Thomas Matthew Crooks. Për shembull, nuk është e qartë se sa gjerësisht u shpërnda fotografia e tij ose nëse të gjithë ishin po aq të vetëdijshëm për kërcënimin e mundshëm.
Të gjithë oficerët shtesë mund të shkaktojnë një shterim të burimeve, duke i lënë agjencitë në gjendje jo të mirë. Shërbimi Sekret në çdo kohë mbron presidentin, kandidatët për president dhe të tjerët, si dhe menaxhon operacionet e sigurisë në ngjarjet e rëndësishme në vend. Të njëjtin problem ka edhe policia lokale, e cila i tha Shërbimit Sekret se nuk kishte mjaft njerëz për të vendosur oficerë jashtë ndërtesës gjatë gjithë ditës.
Shërbimi Sekret kontrollon zonën brenda perimetrit, pasi njerëzit kalojnë nëpër detektorë metalikë. Forcat vendore të zbatimit të ligjit janë përgjegjëse për sigruinë jashtë perimetrit.
Raportet mbi praninë e një njeriu në çati
Sulmuesi, i identifikuar më vonë si Thomas Matthew Crooks, u zhduk nga turma e mbështetësve të zotit Trump të veshur me të kuqe, të bardhë dhe blu. Rrjedha e mbështetësve që hynin përmes detektorëve të metalit po ngadalësohej. Zoti Trump po bëhej gati për të folur para mbështetësve të tij.
Çatia nga e cila qëlloi Thomas Matthew Crooks është një kompleks ndërtesash në pronësi të kompanisë AGR International Inc., një furnizues i pajisjeve të automatizimit për industrinë e paketimit të objekteve prej qelqi dhe plastike. Ndërtesa ishte e mbyllur gjatë ditës, duke lejuar vetëm praninë e forcave të rendit.
Thomas Matthew Crooks u pa përsëri kur anëtarët e një ekipi lokal forcave të ndërhyrjes së shpejtë, SWAT, të vendosur brenda kompleksit të ndërtesës, e vunë re atë duke ecur përreth dhe duke parë çatinë. Një prej policëve e fotografoi atë dhe njoftoi të tjerët përmes radiolidhjes se po vëzhgonte një person të dyshimtë, i cili po maste distancën mes objekteve me një pajisje të vogël, që i ngjan dylbive, por që përdoret nga gjuetarët për të matur distancën nga një objektiv.
Jo shumë kohë më vonë, dëshmitarët raportuan se e panë atë duke u ngjitur në një ndërtesë më afër skenës. Më pas ai pozicionoi pushkën e tij gjysmëautomatike AR-15 dhe u shtri mbi çati. Ai kishte një pajisje në xhep për të aktivizuar mjetet shpërthyese që ishin fshehur në makinën e tij të parkuar aty pranë.
Një oficer lokal u ngjit në çati për të hetuar. Personi i armatosur drejtoi armën drejt tij. Oficeri nuk arriti të bënte asgjë, nuk qëlloi me asnjë të shtënë. Por Thomas Matthew Crooks pastaj qëlloi në drejtim të turmës dhe ish-presidentit Trump, duke shkaktuar panik, ndërsa agjentët e Shërbimit Sekret u hodhën në mbrojtje të zotit Trump, duke e tërhequr atë nga skena. Dy ekipe kundërsnajperësh ishin vendosur në ndërtesat pas skenës ku foli zoti Trump dhe një ekip tjetër në një distancë më të largët nga çatia, ku ndodhej Thomas Matthew Crooks, qëlluan një herë, duke e vrarë atë.
Në një raport për Kongresin të mërkurën, zyrtarët e FBI-së dhe ata të Shërbimit Sekret ofruan një pasqyrë më të qartë të asaj që kishte ndodhur. Ata thanë se Thomas Matthew Crooks u identifikua si një kërcënim i mundshëm një orë përpara se të fillonin të shtënat. Forcat e rendit e panë atë me sensorin e matjes së distancës afërsisht 40 minuta para se të fillonin të shtënat dhe më pas e panë atë përsëri duke shikuar nga distanca, rreth 20 minuta para incidentit.
Shumë hetime, pak përgjigje
“Ne po flasim për një dështim”, tha Sekretari i Sigurisë Kombëtare Alejandro Mayorkas për kanalin CNN. “Ne do të analizojmë incidentin përmes një ekipit ekspertësh të pavarur për të kuptuar se si ndodhi, pse ndodhi dhe do të bëjmë rekomandime për t’u siguruar që një gjë e tillë të mos përsëritet.”
Republikanët e Komisionit të Mbikëqyrjes së Agjencive qeveritare në Dhomën e Përfaqësuesve kanë urdhëruar drejtoren e Shërbimit Sekret Kim Cheatle të paraqitet për dëshmi. Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson tha se do të krijojë një grup pune për të hetuar këtë çështje dhe disa republikanë i kanë bërë thirrje zonjës Cheatle të japë dorëheqjen.
Vetë zonja Cheatle ka thënë në një intervistë me kanalin ABC News se dështimet që çuan në sulmin me armë janë “të papranueshme dhe diçka që nuk duhet të ndodhë më.”
Masat e sigurisë për zotin Trump, presidentin Joe Biden dhe kandidatin e pavarur presidencial Robert F. Kennedy Jr. tashmë janë shtuar.
Presidenti Biden ka urdhëruar një rishikim të pavarur të incidentit. Inspektori i Përgjithshëm i Departamentit të Sigurisë Kombëtare hapi gjithashtu një hetim mbi dështimet e Shërbimit Sekret në incidentin me armë.
Por kjo është një detyrë e madhe. Atë ditë kishte agjentë specialë, ekipe mbrojtëse presidenciale dhe kundërsnajper. Kishte gjithashtu afërsisht 50 zjarrfikës dhe personel emergjencash, dhjetëra oficerë nga policia e qytetit Batlër, policë nga qarku Beaver dhe Butler dhe policë të shtetit të Pensilvanisë.
Do të duhen javë, ndoshta muaj, për të intervistuar të gjithë oficerët e përfshirë dhe për të përcaktuar saktësisht se si Thomas Matthew Crooks ishte në gjendje të kryente përpjekjen më serioze për të vrarë një president ose kandidat presidencial që kur Ronald Reagan u qëllua në 1981.
Sulmuesi ishte përgatitur për masakër. Hetuesit zbuluan se ai kishte shumë karikatorë me plumba. Ai kishte blerë edhe 50 fishekë të tjerë në ditën e incidentit. Pushka ishte blerë ligjërisht nga babai i tij vite më parë.
Hetuesit gjetën një jelek antiplumb në makinën e tij dhe një tjetër pajisje shpërthyese në shtëpinë e tij, ku gjatë muajve të fundit ai kishte marrë disa pako, duke përfshirë disa që kishin materiale potencialisht të rrezikshme. FBI ka hapur celularin e të dyshuarit Crooks, ka kontrolluar kompjuterin, shtëpinë dhe makinën e tij dhe ka intervistuar më shumë se 100 njerëz deri më tani.
Por pjesa më e madhe e komunikimit të tij bëhej në mesazhe të koduara. Hetuesit po analizojnë mbi 14,000 imazhe në celularin e tij dhe kanë mësuar se Thomas Matthew Crooks kishte bërë kërkime në internet për të studiuar trajektoren e plumbave.
Por hetimi ende nuk ka arritur zbulojë motivin për sulmin./VOA/