Drejtor Ekzekutiv i Asociacionit te Komunave te Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka thënë se mos dhënia e mundësisë komunave për rishikimin e buxhetit komunal dhe shumë çështje të tjera do t’i penalizojnë komunat nga përfitimi i miliona eurove.
Në një deklaratë për Indeksonline, Ibrahimi tha se sfidat kanë ndikuar që komunat mos të realizojnë shumë projekte kapitale të cilat do të shkonin në dobi të qytetarit.
“Shpresojmë që edhe tendenca e fundit e nivelit qëndror, për fajin e vet, që t’ia marrë komunave mjetet nga të hyrat vetanake nuk do të ndodhë sepse nëse ndodh kjo atëherë niveli qëndror do shkelë ligjin për menaxhimin e financave publike, atë për financa lokale por edhe me të dy këmbët do shkelë mbi kartën evropiane mbi vetëqeverisje lokale” tha Ibrahimi.
Kjo është deklarata e plotë e tij:
Përkundër sfidave, bllokadave dhe problemeve që komunat janë ballafaquar këtë vit me fajin e nivelit qëndror, ato deri në fund të vitit do i shpenzojnë mbi 50% të mjeteve për investime kapitale që si % është më mirë se në nivel vendi e shumë më mirë se sa që niveli qëndror ka shpenzuar në % mjetet për investime kapitale. Pra, mos funksionalizimi i bordit të OSHP-së, mos dhënia e mundësisë komunave për rishikimin e buxhetit komunal, norma e lartë e inflacionit dhe sfidat tjera që kryesisht kanë ardhur nga niveli qendror do i penalizojë komunat që të përfitojnë miliona euro edhe nga skema e grantit të performancës.
Të gjitha këto sfida kanë ndikuar që komunat mos të realizojnë shumë projekte kapitale të cilat do të shkonin në dobi të qytetarit. Shpresojmë që edhe tendenca e fundit e nivelit qëndror, për fajin e vet, që t’ia marrë komunave mjetet nga të hyrat vetanake nuk do të ndodhë sepse nëse ndodh kjo atëherë niveli qëndror do shkelë ligjin për menaxhimin e financave publike, atë për financa lokale por edhe me të dy këmbët do shkelë mbi kartën evropiane mbi vetëqeverisje lokale.