Rozë

Artistja shqiptare që qëndroi pas këngës së Gjeorgjisë në Eurovision 2024, Ada Satka: “U krijua për historinë personale të Jennifer Lopez…”

By GAZETA SCANNER 1

June 06, 2024

Ada Satka, një artiste shqiptare mjaft e talentuar, që karrierën e saj e ka ndërtuar në Amerikë, ka ardhur së fundmi me projektin e saj më të ri muzikor që mban titullin “Lej ti lej”, që ka hyrë këtë javë në klasifikimin e “The Top List”. Ada ka qenë e ftuar nëpërmjet një lidhje telefonike për “Live From Tirana” ku ka folur më shumë për këngën e saj të re, por jo vetëm…

Ti ke kompozuar për emra të mëdhenj si Rihanna, Jennifer Lopez, Alban Skënderaj, Dafina Zeqiri dhe Elvana Gjata. Si ka qenë të krijosh lidhje me këta artistë për të bashkëpunuar më pas me të?

Fillimi ka qenë shumë i vështirë, ka qenë shumë e vështirë të bëje lidhje me producentët, po flasim para 20 vitesh. Unë punoja në një studio në Los Angeles dhe aty njoha menaxherin tim që më lidhi me një producent të njohur që ka punuar me artistë të mëdhenj. Kur më mori si kompozitore më ftoi në studio për të kompozuar për njerëz të mëdhenj. Ka qenë eksperiencë shumë e bukur, janë artistë shumë të thjeshtë dhe të respektueshëm. Vazhdoj t’i mbaj këto lidhjet. Kohët e fundit jam tërhequr pak sepse i dua disa këngë për vete.

Ti ke krijuar dhe këngën “Firefighter” me të cilën u përfaqësua Gjeorgjia në Eurovision. Si lindi kjo gjë?

Është një histori shumë e veçantë. Në vitin 2018 më merr në tel shefi dhe thonte se donte një këngë për Jennifer Lopez, për një dashuri që po prishet, po digjet dhe ajo do ta kursejë këtë. Mesa duket ajo kishte patur një situatë me burrin e saj asokohe. Dhe më erdhi mendja tek ‘zjarrfikësit’ që shpëtojnë jetë njerëzish. E kam shkruar deri në 7 të mëngjesit dhe ia kanë dërguar Jennifer Lopez-it këngën dhe ajo tha ‘I LOVE IT’. Por mbase u pajtua me burrin dhe nuk e publikoi kurrë (qesh). Edhe Rihanna më vonë e inçizoi por nuk e nxorri. Me artistët ndodh kështu, në një moment janë të gëzuar dhe pastaj duan një këngë që të ‘presin damarët’. Kënga mbeti për vite të tëra, por thoja që është e fuqishme dhe do i vijë dita. Derisa më merr Darko Dimitrov në telefon dhe i dërgova 3 këngë dhe u zgjodh pikërisht këtë./TAR