Retro

Arsyet pse firmat luksoze janë kaq të shtrenjta

Prej bluzave të thjeshta me logon “Balenciaga” (£500) e deri atletet Christian Dior (£800), një pyetje që bëhet shpesh është se pse këto firma quhen “luksoze” dhe kushtojnë kaq shumë. Disa mendojnë se e gjitha është tek cilësia: “Ti merr atë për të cilën paguan”, por le të hedhim një sy drejt faktorëve më të detajuar të arsyeve se pse industria e modës është kaq e shtrenjtë dhe pse këto çmime vazhdojnë të jenë në rritje.

Si fillim, materiali i përdorur i këtyre brand-eve është në të shumtën e rasteve, më cilësori dhe hapat e prodhimit kanë kosto të tjera, p.sh: kompani si Hermes prodhojnë në vende të Europës, ku kostoja është më e lartë se në vende të tjera, p.sh, ato aziatike.

Nga ana tjetër, krijimtaria është një tjetër element i rëndësishëm. Këta dizajnerë shpenzojnë shumë kohë për krijimin dhe rikrijimin e një produkti. E gjithë koha e shpenzuar për ta do të thotë “para”. Fakti që janë unikë dhe vijnë të parët në treg, i bën edhe aq të shtrenjtë.

Më pas, markat “fast fashion”, krijojnë modele të ngjashme me to bazuar në trende që i vendosin pikërisht këto firma luksoze. Ndryshe nga brand-et që vijnë me këto ide origjinale, kompanitë e tjera thjesht “inspirohen” prej tyre, pa bërë shumë kërkime, që në fund përkthehen të gjitha në më pak  kosto dhe më pak kohë.

Arsyet pse firmat luksoze janë kaq të shtrenjta
Arsyet pse firmat luksoze janë kaq të shtrenjta

Një sfilatë, për të prezantuar koleksionin e ri nga Fendi, kushton rreth $10 milionë. Shpenzime të tjera shkojnë për influencuesit, të famshmit apo fotot e shkrepura të produkteve. Këto kompani shpenzojnë aq shumë në marketing, sa arrijnë të bindin konsumatorin të shpenzojë të njëjtën shumë parash që shpenzojnë për pushimet, vetëm për të blerë një palë atlete.

Nga ana tjetër, ju mund të pyesni (me të drejtë) nëse vërtet një bluzë fare e thjeshtë, e ka koston të paktën një shifër të ngjashme me $490 (52.000 Lekë), aq sa kushton bluza në foto nga Gucci:

Arsyet pse firmat luksoze janë kaq të shtrenjta

Sigurisht, arsyeja tjetër pas këtyre çmimeve është emri që ato kanë krijuar dhe prestigji që firma ka i bën konsumatorët ta kërkojnë dhe ta duan këtë “prestigj”, pasi kjo do t’i diferencojë ose do t’i bëjë t’i përkasin një shoqërie të caktuar. Në 2013-ën, brand-i Burberry vendosi të kishte një rritje të çmimeve, në mënyrë që të shkonte drejt një tjetër lloj konsumatori, pra klientët e kësaj firme të ishin njerëz më të pasur. “Sa më e shtrenjtë të jetë diçka, aq më ekskluzive dhe më e dëshirueshme bëhet.”

Disa kompani preferojnë t’i djegin produktet e mbetura në stok, vetëm për të mos i shitur ato me çmime shumë të ulëta. Në 2018-ën, Burberry shkatërroi një sërë produktesh që merrnin vlerën £28.6 milionë.

Një tjetër element i rëndësishëm është aspekti psikologjik human. Një studim thotë se njerëzve u shijon më shumë vera, për të cilën u thuhet se është më e shtrenjtë. Pra, krahas të gjitha shpenzimeve, brand-et luksoze kanë këto çmime, thjesht sepse njerëzit janë të gatshëm t’i blejnë ato jo vetëm për cilësinë, por edhe për prestigjin dhe ekskluzivitetin që ato kanë.

Në fund të fundit, e gjithë industria e modës është si një ekspozitë e madhe arti dhe të gjithë e vlerësojnë atë në mënyrë personale. Shpesh njerëzit janë të gatshëm të paguajnë shuma marramendëse parash për piktura, nga më të çuditshmet. Nëse dikush shpenzon shumë ose shumë pak para për diçka dhe ndihet mirë me të, kjo nuk ka pse t’i interesojë askujt tjetër. Gjithsesi, është mire të dimë se për çfarë po paguajmë.