Ballina

Arsim Bajrami: Kurti duhet ta çojë në Gjykatë draft – statutin e Asociacionit, jam i gatshëm ta ndihmoj

By GAZETA SCANNER 1

May 01, 2024

Profesori i të Drejtës Kushtetuese, Arsim Bajrami, ka thënë se ky është një momentum i mirë i Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës, duke shtuar se dështimi eventual do të jetë një humbje shumë e madhe për Kosovën.

Bajrami, që dikur ka mbajtur pozita të larta në PDK, ka thënë se Kurti duhet ta çojë draft-statutin e Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese.

“E ky hap që do të ishte i mjaftueshëm për votimin e ministrave pro anëtarësimit është vetëm dërgimi në Gjykatën Kushtetuese, personalisht duke qenë jurist dhe për nga vokacioni edhe konstitucionalist unë mendoj që Qeveria duhet të jetë komode, Qeveria e din se ky është një detyrim ndërkombëtarë, ka theksuar edhe Gjykata Kushtetuese kur ka vlerësuar shkeljet që ka pasur drafti, ka  theksuar se ky është një detyrim ndërkombëtar, dhe unë mendoj se Qeveria duhet të lirohet nga parashikimet zgjedhore apo parashikimet se çfarë ka thënë dhe ta bëjë këtë hap vetëm ta dërgojë, jam i sigurtë se Gjykata Kushtetuese meqenëse e njoh nga afër atë Gjykatë jam edhe një prej themelueseve të Gjykatës do të jetë në krye të detyrës në respektim të detyrës Kushtetuese kanë gjyqtarët, do ta vlerësoj profesionalisht atë draft, dhe po qe se ka shkelje , do t’i thotë ato shkelje sepse jurisprudenca e saj ka thënë se ajo ka pru shpesh vendime që si kanë shkuar për shtati edhe bashkësisë ndërkombëtare apo edhe partive politike , madje vendimet e saj shpeshherë kanë shkaktuar efekte negative për të gjitha partitë politike. Unë mendoj se Qeveria e ka një siguresë, ajo është Gjykata Kushtetuese, në qoftë se vërehet se draft-statusi bie ndesh me Kushtetuese, Gjykata Kushtetuese do të ja thotë, dhe kjo është një lloj lehtësimi i Qeverisë sepse nuk mund të shkojë përtej Gjykatës së vet Kushtetuese”, tha  Bajrami në RTV 21.

Ai tha se është i gatshëm që t’i ndihmojë Kurtit.

“I jap një këshillë miqësore, profesionale edhe jam i gatshëm ta ndihmoj në këtë proces që ai të tregojë lidership dhe të veprojë si lider i vërtetë, por gjithsesi do ta përkrahi që të mos lejojë asnjë krijesë asnjë asociacion i cili bie ndesh me Kushtetutën , dhe të kërkoj prej të gjitha institucioneve të Kosovës që i ka në dispozicion të parandalojë një monstrum të tillë kushtetues që mund të shkaktojë problem, por duhet të veprojë me mjetet e shtetit ligjor”, tha Bajrami.