Policia e Kosovës ka arrestuar një zyrtar të Komunës së Mitrovicës , përkatësisht nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, pasi i njëjti është kapur në flagrancë duke marrë ryshfet në shumën prej 200 eurove.
Përmes një komunikate për media, njofton se zyrtari B.S., dyshohet se në cilësinë e zyrtarit komunal ka kërkuar ryshfet nga qytetari për rregullimin e dokumentacionit për përfitimin e një granti që lidhet me ri-atdhesim.
“Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), përkatësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsionit (NjHKEK) – Mitrovice Jug, pas një informate (denoncimi) lidhur me dyshimin se personi i dyshuar B.S.,(viti i lindjes 1961, mashkull kosovar), në cilësi të personit zyrtar komunal, ka kërkuar ryshfet nga një qytetar për rregullimin e dokumentacionit për përfitimin e një GRANDI që lidhet me ri-atdhesimin.
Hetuesit policorë nga NjRHKEK-Mitrovicë Jug, në koordinim me prokurorinë, më 04.07.2024 rreth orës 12:20, në sheshin ,,Isa Boletini” në Mitrovicë ka arrestuar në flagrancë të dyshuarin pasi i njëjti ka marrë ryshfetin në shumën prej 200 eurove”, thuhet në njoftim.
Ndërsa me urdhër të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe ai do të hetohet për veprën penale ‘Marrja e ryshfetit’.
Tutje, hetimi për rastin është zhvilluar me aplikim të masave të fshehta hetimore dhe për zhvillimin e operacionit, Policia ka pasur urdhëresë të lëshuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës – Departamenti për Krime të Renda.