Lajme

Arrestohet një polic, dyshohet se pranoi 1 mijë euro ryshfet

By GAZETA SCANNER 1

February 08, 2024

Një zyrtar policor është arrestuar nga Inspektorati Policor i Kosovës (IPK), pasi që i njëjti dyshohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare si dhe marrje ryshfeti.

Zyrtari policor dyshohet se ka pranuar rreth 1 mijë euro për të interferuar në hetimet e një rasti penal.

Në njoftimin për media është bërë e ditur se hetuesit e IPK-së kishin filluar kohë më parë hetimet për këtë rast me autorizim dhe në koordinim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë – Departamentin e Krimeve të Rënda.

“Pas disa veprimeve hetimore duke përfshirë edhe hetimin me masa të fshehta hetimore, sot rreth orës 17:00 nga hetuesit e IPK-së është arrestuar në Obiliq zyrtari policor (hetues në Stacionin Policor në Obiliq) kurse nga prokurori kompetent i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, thuhet në njoftim.