Lajme

Arrestohet një person për dhunë në familje dhe armëmbajtje pa leje në Prishtinë

By GAZETA SCANNER 1

November 10, 2023

Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar një person nën dyshimin për dhunë në familje dhe armëmbajtje pa leje.

Këtë e ka bërë të ditur  Policia e Kosovës përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”.

Tutje në njoftim thuhet se në kuadër të veprimeve operative që po kryejnë zyrtarët policor të Rajonit të Prishtinës, me qëllim parandalimin dhe zbulimin e veprave kriminale, sot nga zyrtarët e stacionit policor Veriu në Prishtinë, është arrestuar një person i  dyshuar për dhunë në familje dhe  armëmbajtje pa leje.

Policia thotë se arrestimi është realizuar në fshatin Koliq, pas raportimit të një rasti të dhunës në familje.

Tek i dyshuari Policia ka gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri dhe 27 fishekë.

Ndaj personit të dyshuar në konsultim me prokurorin e shtetit, është iniciuar rast për veprat dhunë në familje dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve.

Në komunikatë theksohet se personi i arrestuar me vendim të prokurorit të shtetit është dërguar në qendër të mbajtjes.