Policia e Kosovës, gjegjësisht njësiti FAST Kosova, me mbështetje të njësisë elite FIT, sonte në orët e mbrëmjes në Mitrovicë ka arrestuar një person të kërkuar me urdhër arrest ndërkombëtar nga shteti gjerman, nën dyshimin e kryerjes se veprave penale, vrasje dhe grabitje.
“Me urdhër të Prokurorit Kujdestar për Krime të Rënda i dyshuari tani më i arrestuar, me iniciale (G. V.) viti i lindjes (1997) dërgohet në ndalim policor për 48 orë për të vazhduar me procedura tjera të parapara për raste të tilla”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.
Tutje ky institucion i sigurisë thekson se mbetet i përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në parandalimin dhe luftimin e të gjitha llojeve të krimit, përderisa angazhime aktive janë duke u realizuar dhe do të realizohen në vazhdimësi edhe në fushën e bashkëpunimit policor ndërkombëtar.