Malsor Gjonbalaj, asistent profesor në Universitetin e Prishtinës dhe ish-drejtues teknik në disa klube të futbollit në Kosovë, ka apeluar te autoritetet shtetërore që të dëbohet nga Kosova futbollisti nigerian Theophilus Solomon, i dyshuar për dhunim.
Solomon u arrestua nga Policia e Kosovës të dielën në stadiumin “18 Qershori” në Klinë.
Ish-lojtari i Gjilanit dhe Partizanit akuzohet për dhunë fizike ndaj ish të dashurës së tij sa ishte në Shqipëri.
Në një deklarim për media të dielën në RTV Dukagjini, Malsor Gjonbalaj tha se Solomon duhet të dëbohet nga Kosova nëse ka bërë shkelje ligjore.
“Mendoj që në këtë rast duhet ta përgëzojmë Policinë. Unë i ftoj dhe apeloj që në rastin e tij të mos ndodhë hera e tretë, sepse meqë është hera e dytë që flitet për të njëjtin futbollist, të depërtohet dhe të merret drejtësia me të në vendin ku ka bërë shkelje sepse me të vërtetë nuk është gjë e mirë ajo që po shohim”, ka thënë Gjonbalaj.
Ai ka thënë se përgjegjësia nuk duhet t’i takojë klubit, por futbollistit.
“Nuk dua të tregohem i anshëm. Në këtë rast nuk kemi të bëjmë me persona të tjerë të fajshëm. Ka të bëjë me një individ që ka bërë shkelje diku dhe Policia e ka arrestuar, prandaj çdo devijim i kësaj situate nuk i bën nder kurrkujt por nderi më i madh është që ai të arrestohet dhe të mos lirohet nëse ka bërë çfarëdo qoftë, shkelje.. apo në rastin më të keq nëse ai e ka dhunuar gruan e tij, siç po përflitet”, ka deklaruar ai. “Mendoj që në këtë rast do të merren masa dhe unë apeloj që nëse ai ka një fije dyshimi, ai duhet të dëbohet nga Kosova ose të dënohet sipas ligjeve në fuqi”.