Lajme

Arratisja e ish-ushtarit të UÇK-së, Klinaku: RMV shtet artificial, me urdhër të Vuçiçit donin ta ekstradonin në Serbi

By GAZETA SCANNER 1

August 15, 2024

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, ka thënë se Maqedonia e Veriut kishte për qëllim ekstradimin në Serbi të ish-pjesëtarit të UÇK-së, Blerim Ramadanit, i cili ka ikur nga arresti shtëpiak këtë të enjte.

“Pasi nga arresti shtëpiak vendosën që ta kthenin në paraburgim me qëllim ekstradimi në Serbi, Blerim Ramadani u arratis dhe bëri shumë mirë”, shkroi ai në Facebook.

Klinaku ka shtuar se shteti “artificial” i Maqedonisë së Veriut ka lëshuar fletarrest ndaj Ramadanit, për të zbatuar “urdhrat” e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiçit.

“Ky pushtet i ardhur në Maqedoni, e që fatkeqësisht në emër të ndryshimit u ndihmua nga Kurti, po i përndjek veteranët e luftës së UÇK-së. Por, le ta kuptojnë se nëse vazhdohet kjo politikë e përndjekjes së shqiptarëve, për çdo eskalim të situatës do të jenë përgjegjës”, shtoi.

Ramadani u arrestua më 17 korrik në pikëkalimin kufitar Jazhincë – që lidh Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut – në bazë të një fletarrestimi të lëshuar nga Gjykata në Beograd, përmes INTERPOL Serbia, nën akuza për krime lufte.

Një gjykatë maqedonase më 1 gusht urdhëroi që Ramadani të dërgohet nga paraburgimi në arrest shtëpiak dhe, sipas vendimit, ai është dërguar në një adresë në Shkup. Me këtë vendim ishte paraparë që ai të qëndronte në arrest shtëpiak deri më 16 gusht.

Ramadani ishte anëtar i Zonës Operative të Nerodimes dhe fletarresti serb ndaj tij u lëshua me pretendimin se kreu krime lufte ndaj serbëve në verën e vitit 1999 në rajonin e Ferizajt.

Ky nuk është rasti i vetëm kur autoritetet e Maqedonisë së Veriut arrestojnë ish-ushtarë të UÇK-së, për shkak të fletarresteve nga Serbia.

Në vitin 2016, pikërisht për shkak të flearrestit nga Serbia, ishte arrestuar në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, Gafurr Elshani