Lajme

Arratiset për herë të nëntë nga burgu Faton Hajrizi, i dënuar për vrasjen e ushtarit rus

By GAZETA SCANNER 1

July 06, 2024

Faton Hajrizi, i dënuar për vrasjen e policit rus të KFOR-it, është arratisur nga Qendra Korrektuese e Smrekonicës. Për këtë arratisje ka njoftuar Shërbimi Korrektues i Kosovës. Në fakt, kjo është hera e nëntë që Hajrizi arratiset nga burgu. Çfarë ndodhi?

Në një njoftim për medie, ShKK-ja ka treguar se tashmë është njoftuar edhe Policia e Kosovës për këtë arratisje. Për këtë rast janë suspenduar dy oficerë.

“Shërbimi Korrektues i Kosovës njofton opinionin publik se i dënuari F. H. është larguar nga Qendra Korrektuese e Smrekonicës, institucion i tipit të hapur.

Ai është gjithashtu përfitues i vikendit. Herën e fundit që ka shfrytëzuar vikendin ishte nga data 01 deri më 03 të këtij muaji.

Për largimin e tij nga institucioni është përgatitur letërrreshtimi dhe është njoftuar edhe policia.

Lidhur me rastin, deri në përfundim të hetimeve, është suspenduar oficeri i dhomës së vëzhgimit, F.R dhe oficeri i krahut, N.A. – njofton Shërbimi Korrektues i Kosovës.

Sjellim ndër mend që Hajrizi kohëve të fundit ka qenë aktiv në intervista të ndryshme për medie. Në këto intervista, ai kishte rrëfyer se si kishte ndodhur vrasja e ushtarit rus të KFOR-it.

“Unë e kam kryer shkollën fillore në liri, kur ka ndodhë vrasja e ushtarit rus, unë kam qenë me çantë të shkollës…Edhe gjatë pesë viteve kam pasur izolime të ndryshme dhe kur kanë tentu me m’dhanë mundësi për shkollim, ma kanë ndërpre”, kishte thënë Hajrizi.

“Në vetmi nuk vinin shpesh të të shqetësonin. Edhe pse unë e kam pasur çdo pesë dakikë me më këqyr për sporteli. Unë kam arritur me pre grilën në vetmi dhe kam dalë”, shtoi Hajrizi.

Hajrizi nuk ka ngurruar në raste të ndryshme të tregonte edhe jetën në burg.

“Vetmia e sotit aplikohet nga 15 ditë deri në 30 ditë për raportet disiplinore që bëjnë diçka të burgosurit shkelje, varet a është e rëndë apo e lehtë ose e mesme. Atëherë te unë kjo vetmia e sotit nuk është kurgjo, kjo të mush mend, me i thirrë mendjes kur shkon aty 15 ditë, 30 ditë që mos me bo më. E ke dyshekun, e ke çebën, e ke higjenën e ke shetitjen dy herë në ditë, e ke mjekimin e rregullt, këtu sot, që e udhëheq Ismajl Dibrani, janë kushtet e mira.” – thoshte ai në një intervistë për Betimin për Drejtësi.