Lajme

Arifi: Shpërndarja e Kuvendit pa pasur krizë parlamentare, projekt i Kurtit

By GAZETA SCANNER 1

May 24, 2024

 

Avni Arifi, ish-ambasador dhe ish-kryenegociator në dialogun Kosovë-Serbi, letrën e kryetarit të Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, dërguar kryetarëve të partive politike më të mëdha në vend, e ka cilësuar si të çuditshme dhe të habitshme për nga mënyra e komunikimit, veçmas me opozitën.

“Derisa u shkruan letër, më mirë është që t’i takojë, siç i ka takuar më përpara”, nënvizoi Arifi, në “InfoPlus”, në RTK.

Ai ka theksuar se ftesa për të shkuar në zgjedhje të parakohshme nuk është në dorën e opozitës. Sipas tij, po të ishte në dorën ë opozitës, tash e një vit ka ekzistuar mocioni për rrëzimin e qeverisë.

Arifi bëri të qartë se projekti i shpërndarjes së parlamentit, pa pasur krizë parlamentare, është një projekt i kryeministrit Kurti.

“Çështja është se a duam t’i përgjigjemi pozitivisht kryeministrit Kurti dhe sa është e implementueshme kjo kërkesë e Kurtit”, tha Arifi.

Ai shprehu dyshimin nëse Kurti, në momentin e fundit, kur të mund të bëhet shpërndarja e Kuvendit, ai të mund t’i tërheqë deputetët nga salla dhe mocioni do të dështonte, gjë që, sipas Arifit, një skenar i tillë do të ishte më keq.

Ai, duke shprehur habinë për mënyrën e qasjes për të shkuarje në zgjedhje të parakohshme, pa pasur krizë parlamentare, theksoi se nëse mund të ketë krizë qeveritare, atëherë do të duhej që qeveria të dorëhiqej.